E Diel, 1 Nëntor 2026

Pse koreanoveriorët janë më të shkurtër se ata të jugut?

Share

Pas dështimit me lëshimin e raketës me rreze të gjatë, vëmendja e medias botërore është sërish mbi Korenë e Veriut. Siç raporton Indipendent në Korenë e Veriut asgjë nuk është e vogël përveç njerëzve, që janë rreth 8 centimetër më të shkurtër se kushërinjtë në jug.

Në zgjedhjet e vitit 2008 në SHBA, senatori John McCain e përmendi këtë hendek prej 8 centimetrash gjatë një debati presidencial.

Por BBC pyet se si është e vërteta.

Profesori Daniel Schwekendiek, që ka matur refugjatë e Koresë së Veriut thotë se meshkujt në të vërtetë janë 3- 8 centimetër më të shkurtër se ata të Koresë së Jugut. Diferenca është më e qartë mes fëmijëve në dy vende. Profesori Schwekendiek thotë se nuk mund të bazohesh tek gjenetika për të shpjeguar diferencat për shkak se ata janë popullsi të njëjta.

Martin Bloem i Programit Botëror të Ushqimit, ka ofruar ndihma ushqimore për Korenë e Veriut që prej vitit 1995. Ai thotë se dieta e dobët është shkaku pse ata nuk janë të gjatë.

Ushqimi dhe ajo që ndodh në dy vitet e para të jetës ka rëndësi kritike për gjatësinë e njeriut më vonë, deklaron ai.

Koreja e Veriut u përball në vitet 90 me një zi buke. Edhe sot një në tre fëmijë është i kequshqyer. Në kontrast, Koreja e Jugut ka përjetuar një rritje të shpejtë ekonomike. Bloem thotë se rritja ekonomike është një nga përcaktorët kryesorë të përmirësimit të gjatësisë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›