Pse një Komision Kombëtar për të Drejtat e Njeriut
Të premten e kaluar isha në Shkodër. Pas një dite dëgjesash në zyrën lokale të Avokatit të Popullit, me një grup të vogël bashkëpunëtorësh shkuam pasdite vonë në lagjen Tophane, një nga lagjet më të vjetra të qytetit, të përmbytura disa herë vitet e fundit. Nuk do tju marr rreshta duke rrëfyer atë që pashë dhe dëgjova, por dua të ndaj me ju atë që ndjeva. Dhe atë për të cilën besoj se ata njerëz kanë nevojë. Në shtëpitë e tyre të thjeshta, ku varfëria ishte maskuar me kujdes dhe me dinjitet, thellova bindjen që kam ndërtuar këta tre muajt e parë të eksperiencës sime në këtë detyrë: që asgjë nuk mund të arrihet vetëm; – Që asnjë ndryshim thelbësor nuk mund të bëjmë në jetën e njerëzve nëse nuk përdorim bashkërisht mundësitë e gjithsecilit prej nesh; – Që asnjë detyrim prej ligjit apo prej zemrës nuk përmbushim nëse nuk besojmë te ky bashkim forcash. Dhe jo vetëm kaq. Sfida shqiptare në fushën e nevojave dhe të drejtave të njeriut është e shumëfishtë dhe kërkon jo vetëm veprime të përbashkëta, por edhe të shpejta.
Disa, për fat të keq, besojnë se mbijetesa e njerëzve, – sidomos në zona si ato që kam vizituar këta tre muaj, – është e mjaftueshme. Se më shumë se kaq nuk mund të bëhet dhe se më shumë se kaq nuk ka pse bëhet. (!) Kjo është gabim dhe rezultati është ky që shohim: një shoqëri e shndërruar; një shoqëri e transformuar nga e liga deri në atë masë sa nuk po e rinjeh më vetveten. Jo rrallë njerëzit ndihen pa shpresë dhe pa mbështetje. Beteja e përditshme me mbijetesën u ka helmuar shpirtin, fatkeqësitë e mëdha i kanë bërë të sertë dhe të athët. Shikoni për shembull burrat, gratë dhe fëmijët që ngujohen nga gjakmarrja. Vërtet arrijnë të ruajnë deri diku jetën e tyre duke u mbyllur në vetmi dhe gjysmerrësirë, por në qenien e tyre hyn dalëngadalë ankthi, vetmia, ftohma. Kur dalin prej andej ata nuk arrijnë më të shohin mirë, nuk flasin dot normalisht, nuk dinë më të qeshin Citoj shkrimtarin tonë të madh Kadare. Sfida e pjesëtarëve të një shoqërie është, pra, të dalin nga vështirësitë dhe krizat, duke mbetur Njerëz, dhe jo të dalin prej andej një grumbull shkretanësh të egërsuar nga fati i egër. Ndaj duhet të ndërhyjmë bashkë dhe duhet të ndërhyjmë shpejt. Dhe këtë sfidë, përsëris, askush nuk mund ta përballë i vetëm. Dy ditë më parë, pata nderin dhe kënaqësinë si Avokat i Popullit të drejtoja një ceremoni shumë të rëndësishme: startimin e ngritjes së një megastrukture, e cila do të jetë e para në historinë e tranzicionit shqiptar që do të grumbullojë rreth vetes shoqërinë civile shqiptare. Pranë Avokatit të Popullit do të ngrihet si një organ këshillimor, Komisioni Kombëtar i të Drejtave të Njeriut. Ky komision do të ketë në përbërjen e tij 20 anëtarë, nga të cilët 15 përfaqësues do të jenë të zgjedhur nga shoqëria civile dhe 5 anëtarë do të jenë personalitete të shquara, ekspertë të fushave me ndikim të drejtpërdrejtë në zbatimin dhe respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut. Të gjitha koalicionet e organizatave të shoqërisë civile do të përzgjedhin 15 përfaqësues të tyre për të bërë pjesë në këtë komision.
Mirënjohje të thellë do të doja të shtoja këtu për pjesëmarrjen në ceremoninë e mësipërme të zotit Sekui, zotit Volfarth, zonjës Jones dhe zotit Leidekker, përfaqësuesve të lartë nga BE, SHBA, OSBE dhe Këshilli i Europës, të cilët kanë qenë gjithmonë pranë nesh në këtë histori zhvillimi dhe përparimi të shoqërisë sonë, e cila, – më lejoni ta shkruaj, – regjistroi dy ditë më parë një moment të rëndësishëm pjekurie dhe ndërgjegjësimi të saj.
Në këtë grupim të madh të pagëzuar në fillim të kësaj jave ka bindje dhe qëndrime të ndryshme, por ajo që na bashkon është besimi te një Shqipëri me të drejta dhe liri të garantuara, si dhe me fytyrë europiane. Do të jetë një kuvend i madh. Ne do të punojmë bashkë për: analizën e projektligjeve që i propozohen Parlamentit, shkëmbimin e informacionit dhe monitorimin e problematikave që ka zbatimi i legjislacionit për të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, përgatitjen e studimeve vlerësuese dhe të raporteve të veçanta mbi legjislacionin shqiptar dhe zbatimin e tij nga organet e administratës publike; ndërmarrjen e nismave të përbashkëta legjislative nën dritën e standardeve europiane dhe ndërkombëtare; promovimin dhe sensibilizimin e shoqërisë shqiptare për garantimin e të drejtave dhe lirive etj.
Ne mundemi të veprojmë të gjithë, Avokat i Popullit dhe shoqëri civile, solidarë me njëri-tjetrin dhe me qytetarët. Për të qenë zëri i njerëzve pa zë. Në Tophanen e Shkodrës ende presin. Dhe, – siç të gjithë e dimë, – jo vetëm aty…
*Avokat i Popullit
