E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një karrige e varur në qafën e opozitës!

Share

Nga Mero Baze

Ka pasur shumë reagime dhe shpesh të ekzagjeruara ndaj lajmit mbi një manovër të opozitës për të paraqitur Ardian Vishën si kandidat të tyre për në KLD me shpresë se ai merr disa vota nga e djathta. Në Komisionin e Ligjeve, ku po diskutohet kandidatura e Elvis Çefës, një nëpunës eunuk i Berishës, socialistët kanë menduar të marrin vendin bosh në KLD me një kandidat, i cili siguron votat e Mediut, LSI dhe ndonjë deputeti tjetër. Ardian Visha është padyshim një ish socialist në sistemin e drejtësisë. Ka punuar si ndihmës i Arben Rakipit, pastaj i Dhori Sollakut, dhe është larguar nga prokuroria bashkë me këtë të fundit. Pas largimit filloi punë si avokat dhe u bë i njohur pasi mori përsipër një nga çështjet më të nxehta që lidhte politikën me korrupsionin, atë të Gërdecit, pikërisht si avokat i Fatmir Mediut.

Kam parë që ka plot reagime, të cilat e quajnë avokat të zot, pasi ka mundur të shpëtojë Fatmir Mediun, i cili nga ana e vet duke mos u gjykuar ka shpëtuar pa çuar para drejtësisë Shkëlzen Berishën.

Nuk e përjashtoj mundësinë që Shqipëria mund të ketë dhe avokatë të zotë, por në një sistem ku drejtësia është e korruptuar, avokatët e zotë nuk ka ku të verifikohen. Në këto kushte mund të flasim vetëm për avokat të suksesshëm, që për hir të imponimit që u vjen nga sistemi mund të quhen sekserë të mirë. Kjo natyrisht nuk i ngarkon me faj, por nuk i bën as heronj të drejtësisë.

Kam parë po ashtu se shumë vetë duan të theksojnë faktin që Visha është një i majtë që meriton të mbështetet nga Partia Socialiste. Nëse është i tillë le të bëjë karrierë në opozitë, deri dhe deputet i Partisë Socialiste.

Problemi që ne ngremë është se Partia Socialiste në opozitë ka pasur dhe ka akoma vetëm një ngërç, ngërçin që nuk frymëzon njerëzit me një betejë morale kundër pushtetit. Sali Berisha po ia arrin ta mbajë të baltosur opozitën duke thënë jemi të dy njësoj, jemi të dy pragmatistë, jemi të dy pa moral, dhe në këtë garë unë jam më i aftë dhe e mund gjithmonë kundërshtarin. Diferencën me pushtetin opozita e bën pikërisht me gjeste dhe qëndrime morale. Ardian Visha mund të jetë një socialist shembullor dhe mund të jetë pjesë e pushtetit të socialistëve, por ai ka qenë dje në vendin e gabuar dhe kohën e gabuar. Historia e Gërdecit është një histori e frikshme e përfshirjes së Familjes në pushtet në një projekt arrogant fitimprurës që kushtoi 26 jetë njerëzish.

Ardian Visha është i lirë të jetë avokat i Fatmir Mediut, bile dhe i Shkëlzenit nëse e thërrisnin dhe atë po të kishte drejtësi, por ai nuk mund të jetë dhe avokat i opozitës në KLD. I mirëkuptoj zërat që thonë se po të fitojë ai është socialist, por pikërisht kjo fitore nuk i duhet opozitës. Kjo është fitorja që e barazon me Berishën, e bën njësoj si atë dhe në këtë pikë ai është i pakonkurrueshëm, e mund opozitën në garën e mungesës së moralit. Opozita mund të paraqiste Celibashin në vend të tij, pasi dhe ai mund ta marrë votën e Fatmir Mediut, mund të paraqiste Sollakun se dhe ai mund ta merrte votën e Mediut, mund të paraqiste cilindo avokat tjetër të saj, që punojnë paradite në gjykata e pasdite në parti, mund të çonte emrin e Maks Haxhisë, Eno Bushit, Koli Beles, pasi dhe ata e marrin votën e Mediut apo dikujt tjetër. Nëse i duhej një vend në KLD, lista që përmenda më lart, merr po aq vota sa Visha, por nëse i duhej për moral, për atë që pikërisht ka nevojë, le të paraqiste një nga avokatët e viktimave të Gërdecit se dhe ata janë disa. Nuk do të fitonin natyrisht, por gjesti do tu thoshte njerëzve se jam në anën e atyre që janë vrarë për të fituar miliona i biri i Sali Berishës dhe shërbëtorët e tij.

Ky është morali që i duhet opozitës dhe kjo është rruga që bën diferencën e saj me pushtetin e Sali Berishës. Në garën kush ia hedh njëri- tjetrit, kush të blejë vota sa majtas- djathtas, kush të zërë një copë karrige në KLD apo KPD, ka vetëm një fitues dhe ai është Sali Berisha. Bile ai është fitues në këtë rast dhe nëse bën sikur e humbet atë garë. Çdo karrige e fituar me llogari të bëra me gishta poshtë tavolinës, forcon identitetin e pushtetit të Berishës, jo të opozitës.

Është ky shqetësimi që sjell tek lexuesit, shpesh më nervoz se duhet, lajmi se zoti Visha është kandidat për KLD. Askush nuk ka asgjë me të dhe as me të qenit e tij një socialist, ish- socialist apo pragmatist. Problemi është se opozita ka nevojë të duket e ndryshme dhe ka nevojë të frymëzojë njerëz që ndonjëherë të bëjnë dhe gjëra për parime dhe jo vetëm llogari për karrige.

Nëse shoqëria jonë hyn në spiralen e llogarive personale, shumica do të zgjidhte gjithmonë të bënte hesape me pushtetin dhe duke bashkëpunuar me të, pasi atje është leverdia. Nuk është gabim që Ardian Visha të bëhet anëtar i KLD. Gabim është që opozitës i shkon mendja tek institucioni i avokatit të pushtetit në çështjen e Gërdecit dhe jo tek avokatët e viktimave të Gërdecit. Ndaj dhe nëse ia del si kandidat, mund ti uroj pa drojë suksese atij, por druhem se opozitës do ti duhet edhe më shumë punë për tu bërë e besueshme dhe për të hequr një tjetër gur që ia mban kokën nën ujë, në betejën e pandershme ku e ka zhvendosur Berisha lojën me të.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›