Fokus/Në Drejtorinë e Konvikteve të Shkollave të Mesme, aty ku nxënësit ndjejnë kujdesin e Bashkisë së Tiranës
Prej shtatorit të 2011 dhe deri më sot vajza ime është shumë e kënaqur me kushtet e ofruara. Si për ushqimin, për stafin pedagogjik dhe atë mjekësor, për sigurinë, për ngrohjen nëpër dhoma me anë të kaldajës, për aktivitetet e zhvilluara – kështu shprehet një prind nga Delvina. Një tjetër prind akoma nënvizon faktin se një vit më parë ishin shumë të shqetësuar sepse pikërisht ushqimi, stafi edukativ dhe siguria e fëmijëve të tyre ishin tërësisht të lëna pas dore. Këta janë prindërit e nxënësve, qytetarë jo të Tiranës për fëmijët e të cilëve kujdeset Bashkia e kryeqytetit. Nesër dikush prej tyre do të jetë një inxhinjer informatike i afirmuar, një ekonomist i zoti, një pedagog apo një përkthyes i talentuar dhe nuk do të mungojnë padyshim edhe artistët plot talent. Nuk mungojnë as ata që ndërkaq përfaqësojnë vendin tonë në futboll. Pjesa më e madhe e tyre nuk ka mbushur ende 18 vjeç por gjithsesi disa prej tyre në një ditë jo të largët do të mbajnë mbi supe fanellën magjike të kombëtares të futbollit. Nuk janë nga Tirana. Në të kundërt, vijnë nga Konispoli apo Delvina, nga Vlora apo nga Fieri, nga Shqipëria e Mesme, pastaj nga Prrenjasi, Pogradeci për të vazhduar më tej me nxënësit që vijnë nga Kruja, nga Laçi, Hasi, Tropoja dhe Ulza madje nuk mungojë edhe ata nga që vijnë nga Kosova. Dhe nuk janë pak. Janë pothuajse 500 nxënëse dhe nxënës të shkollave të mesme të Gjuhëve të Huaja, të Ekonomikut, të Liceut, të Elektrikut, të Hoteleri – Turizmit dhe të Mjeshtrisë Sportive, nxënës për të cilët kujdeset Bashkia e Tiranës. Kujdesi ka nisur që në mbledhjet e para të Këshillit Bashkiak, të kryesuara nga Kryetari i Bashkisë të kryeqytetit z. Lulzim Basha, kur është folur pikërisht për konviktet e shkollave të mesme. Në fakt puna intensive me nxënësit, banorë jo të Tiranës, ka nisur që me fillimin e vitit të ri shkollor. Me interesimin direkt të Kryetarit të Bashkisë të kryeqytetit z. Lulzim Basha dhe të nën/ kryetarëve të Bashkisë më të madhe në vend ku spikat padyshim puna e nën/kryetares Jorida Tabaku. Në Drejtorinë e Konvikteve të Shkollave të Mesme që prej shtatorit janë marrë masat e duhuara që jeta në konviktet e shkollave të mesme të ketë një përmirësim të dukshëm në të gjitha aspektet. Duke filluar që nga ushqimi, higjena, siguria e vetë konviktit. “Parësore në punën tonë që në fillim ka qenë zbatimi me përpikmëri i ligjit. Ligji flet qartë, përcakton kuotën ushqimore dhe atë të kalorive për nxënësit konviktorë” – nënvizon Drejtori i D. K. SH. M (Drejtoria e Konvikteve e Shkollave të Mesme), z. Isa Doçi, duke vazhduar: “Në shtator, me fillimin e vitit të ri shkollor situata që gjetëm nëpër konvikte dukej e pashpresë. Ligjet natyrisht egzistonin edhe më përpara por…”. Më tej Drejtori i Drejtorisë së Konvikteve të Shkollave të Mesme, z. Isa Doçi, flet për Vendimin e Këshillit të Ministrave që përcakton qartë ndezjen e kaldajave për periudhën 15 nëntor - 15 mars. Por problemi kryesor, që vinte nga keqmenaxhimi i viteve të kaluara, ishte se shumë prej kaldajave nuk ishin në funksionim nga neglizhenca. Ndërkaq janë kryer riparimet e nevojshme dhe tashmë kaldajat për ngrohjen e nxënësve kanë patur rreth 550 orë pune si asnjëherë kurrë më parë në këtë Drejtori. Një punë e veçantë është kryer me personelin dhe stafin pedagogjik të konvikteve. Sidoqoftë kjo nuk ka qenë dhe aq e lehtë - shton z. Isa Doçi. Shumica e punonjësve karakterizohej nga një mosimpenjim total në punë, nuk njihnin detyrat e përcaktuara për ta dhe në shumicën e konvikteve nuk egzistonte një grafik për punonjësit. Sidoqoftë është punuar në shumë drejtime, është rritur sipërfaqja e gjelbër nëpër konvikte në bashkëpunim edhe me Drejtorinë numër 1 të Bashkisë të kryeqytetit, është rritur siguria e nxënësve dhe kërkohet nga të gjithë zbatimi i orareve të veprimeve sipas Rregullores të Konvikteve – thekson më tej Drejtori i D.K.SH.M, z. Isa Doçi. Nga ana tjetër është punuar shumë edhe për anën etike të punonjësve, njëkohësisht po aq parësore ka qenë higjiena në konvikt dhe në dhomat e fjetjes pa harruar edhe dushet të cilët kanë qenë me të vërtetë të paktë dhe jo funksionalë. Janë kryer aktivitete të ndryshme në çdo konvikt por edhe midis të gjithë konvikteve të kësaj Drejtorie ku vlen të përmenden ndeshjet e futbollit të zhvilluara me shumë pasion. Konviktet kanë sallën e internetin, atë të pingpongut, fusha basketbolli të përshtatshme edhe për minifutbolllin dhe volejbollin, ndërsa është në zhvillim e sipër kampionati i shahut nëpër konvikte. Janë kryer mbrëmje të ndryshme mes konvikteve, tek Ekonomiku kanë ardhur nxënësit e Liceut ndërsa tek Konvikti Elektrik ata të Gjuhëve të Huaja. Tashmë kushtet janë me të vërtetë shumë të mira madje nisur nga ky fakt një numër i konsiderueshëm studentësh universitarë kërkojnë të regjistrohen nëpër konvikte – ka patur me të vërtetë kërkesa të shumta - por natyrisht këto janë konvikte vetëm për moshën e përcaktuar për nxënësit e shkollave të mesme. Kështuqë për Blerimin, Fjoralbën, Rafaelin, Edisonin, Vinçensin, Denisën, Inesin, dhe gjithë të tjerët që ndodhen larg familjeve, për ushqimin, higjenën, mbarëvajtjen në mësime, për ngrohjen nëpër dhoma, për shëndetin e tyre tashmë si asnjëherë më parë kujdeset Bashkia e Tiranës. Ndërkaq në Drejtorinë e Konvikteve të Shkollave të Mesme kërkohet me këmbëngulje nga të gjithë punonjësit që të jenë zëvëndësues të denjë të prindërve të nxënësve.