Pse pikërisht Vlora?
20/09/2011 Pse pikërisht Vlora dhe jo një qytet tjetër do të etiketohet herë pas here, sa here që korrupsioni në Shqipëri arrin pikën më të lartë të kurbës dhe si përherë shteti i papërgatitur hesht, duke lëshuar barrën pa ditur se ku bie? Pse pikërisht Vlora dhe jo një qytet tjetër do ta ndiejë këtë njollë kur i vëmendshëm shteti kërkon të gjejë gjilpërën në kashtë, duke nxjerrë dëshmitarë të rremë dhe duke bërë martirin sa për sy e faqe? Po t’i referohemi historisë së Shqipërisë, e para, si në të mira dhe në të këqija, është pikërisht kjo trevë, që është martirizuar si askush tjetër në periudha historie. Dhe kjo për shkak të karakterit impulsiv dhe egos së theksuar me të cilën këta njerëz janë rritur. Në një artikull të botuar para disa vjetësh, “Egoizmi është luks i importuar apo ves i akumuluar”, jam munduar të jap një tablo të origjinës, pasurimit dhe zhvillimit të këtij vesi, që për hir të së vërtetës në ngjarjet tragjike për fatet e vendit ka qenë vendimtare. Shkak për këtë shkrim u bë vrasja aq e bujshme e një gjyqtari që po përgojohet për çështje pronësie këto ditët e fundit. Po vallë a mund të jetë kjo arsyeja pse ai u vra në sheshin e qytetit? Fakt është se Vlora është qyteti i parë në Shqipëri që ka hyrë në mëshirën e Zotit dhe për të është privilegj dhe duhet shumë punë që në shpinë të mbahet kjo mirësi e madhe dhe të shprehësh mirënjohje. Kjo gjë duket pak ose, më saktë, sot nuk duket fare. Vlonjatët, ose krahina e Labërisë, e ka ndier nga afër këtë privilegj, dhe jo ndoshta, por është borxhli në raport me Zotin. Vlonjatët janë të privilegjuar dhe e kanë të theksuar egon e tyre të kthyer në sëmundje, pasi mburrjen, shpeshherë me pasoja të pariparueshme për fatet e tyre, shumë shtrenjtë e kanë paguar. Ndoshta edhe në të ardhmen të njëjtin fat do të kenë si ditët që kaluan. Më kryesorja, krenaria që i ka verbuar se ata dhe vetëm ata e meritojnë të quhen “burra”, që dinë të nderojnë mikun dhe armikut t’i tregojnë vendin, arrin deri në shkallën sublime të mburren dhe përbetohen, madje për këtë të shkrihen në dënesa dhe gjithmonë të tregojnë gjoksin në sofra dhe davete dhe më të theksuar në mortet, që i kanë të shumta. Duke e ditur mirë historinë e tyre dhe prejardhjen që e kanë të ndritur, këta burra janë gati të hidhen në zjarr sa herë që e lyp nevoja për t’i treguar vetes dhe të tjerëve se ata vetëflijohen si paraardhësit e tyre. Të qenët patriot dhe fjala “atdhedashuri” është e ushqyer në breza dhe kurrë s’ka për t’u shuar. Mania e tyre për të pasur edhe para përveç fëmijëve meshkuj, pa harruar pushtetin, i ka kthyer në robër të vetvetes, pa ditur se ku është fundi. Kryeqyteti që u bë mollë sherri mes perandorive të botës ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit për portin e famshëm, sot qëndron i heshtur. Kryeqyteti me të cilin krenohej diktatura sa herë që nevojitej për t’i treguar dhëmbët armikut imagjinar dhe armiqve realë të kombit. Kryeqyteti nga ku perandoria e hershme e antikitetit vendosi të ngrinte shtetin e parë pranë bregut të detit, siç ishin molosët. Kryeqyteti nga ku nisën karrierën e lavdishme me qindra vezirë dhe sulltanë oborresh për të pushtuar gjithë botën moderne të kohës së lavdishme. Kryeqyteti nga ku mori jetë pavarësia e një kombi më 1912 dhe vazhdoi në brazdën e vjetër ku kishin kaluar të parët dhe do të ecnin të pasmit me hapa shumë bindës. Kryeqyteti ku një perandori prej 40 milionësh, e veshur e gjitha në hekur, u hodh në det andej nga kishte ardhur nga eposi i burrave me shajak dhe opingën e qepur me gozhdë të marrë hua. Kryeqyteti nga ku nisi Revolucioni Demokratik i Qershorit në vitin 1924 dhe tronditi gjithë qarqet ballkanike, madje edhe përtej detit me gjakun e ndezur të përzier me shumë rryma. Kryeqyteti që nxori heronj si Avni Rustemi, që tradhtinë e kombit s’e lanë të merrte jetë, si bir i kësaj treve dhe zemrat u rrëmbeu. Kryeqyteti nga ku nisi lufta e LANÇ-it kundër pushtuesve të huaj dhe përfundoi në larje hesapesh mes kampeve rivale dhe peng i politikës vazhdon të mbetet ende për marrjen e pushtetit. Kryeqyteti nga ku u përkrah regjimi komunist, që sundoi për më shumë se katër dhjetëvjeçarë dhe ata sipas shijes së tyre e panë veten dinjitozë dhe me meritë të vlerësuar. Kryeqyteti nga ku dolën me qindra e mijëra bij nënash për t’i shërbyer vendit si ushtarë besnikë dhe veten e flijuan për interesa të atdheut. Kryeqyteti ku për herë të parë i dhuruan 6 deputetët si asnjë qytet tjetër i vendit demokracisë sonë të brishtë. Kryeqyteti ku lulëzuan skafet, si i vetmi burim fitimi i shpejtë, ndonëse duhet thënë se qe punë e pandershme dhe mori shumë jetë njerëzish. Kryeqyteti nga ku mori fill prostitucioni shqiptar, që rrugët dhe trotuaret e Evropës i furnizoi me mishin e bardhë të vajzave tona për t’iu shitur epsheve maniakë dhe kafshërore të Evropës së plakur dhe moderne në ndjenja, paçka se arkaike. Kryeqyteti nga ku u mboll përhapja e vesit me trafiqet e jashtëligjshme dhe kontrabandën përmes portit dhe rrugëve detare, që nuk pyesnin për tramundanën dhe dallgët shumëballëshe. Kryeqyteti nga ku niseshin skafet me lëndë narkotike dhe tokat në vend të grurit mbilleshin me farë hashashi dhe nën dritën e neonit. Kryeqyteti që njerëzit i konsideronte si numra, që përfundonin në ujërat e ftohta të detit, kur një jetë shuhej dhe të nesërmen ngriheshin me dhjetëra jetë të tjera, që kundër dëshirës së Zotit fatin të provonin. Kryeqyteti që ka marrë mallkimin për tokën, që rriste helmin dhe mbillte në tokën e djegur vrerin vdekjeprurës. Kryeqyteti ku lulëzuan dhe vranë vetveten firmat piramidale, që do të shkatërronin në fare pak ditë atë çfarë ne e kishim ngritur për më se gjysmë shekulli me mundin dhe djersën e brezave që kaluan. Kryeqyteti ku ne pamë se si po shpërbëhej shtëpia jonë e vetme e mbetur në celuloidët e trurit, që nuk fshihen nga kujtesa. Kryeqyteti nga ku në vend të njerëzve për transport tani skafet punonin me supermallin, djersën e vjedhur të shqiptarëve anekënd botës, që i transportonin përtej detit dhe pa kokëçarje e fitonin. Kryeqyteti nga ku nisi një kundërrevolucion me andartët e zellshëm, që do të hanin njëri-tjetrin nga çmenduria e quajtur “ndrydhje”. Kryeqyteti ku kanë ndodhur vrasjet më barbare mes grupeve rivale dhe ende s’kanë mbaruar hasmëritë e vjetra, të rejat s’të lënë radhën. Kryeqyteti ku jeta e një qytetari kushton më pak se një gotë bombazhi me “ujin e bekuar”. Kryeqyteti ku bëhen eksperimente me jetët e njerëzve në mes dallgëve të Otrantos. Kryeqyteti nga ku nisën rrugëtimin anijet primitive të fuçive të shndërruara në varka si njerëzit e hershëm të Neandertalit të sotëm. Kryeqyteti ku lotët e përtharë në sytë e nënave nuk u kuptuan kurrë nga burrat e eposit, që për shkak të egos së tyre vazhduan ta shtynin zullumin përtej kufijve të jetës. Kryeqyteti nga ku pushteti nuk funksionon si duhet pa u lidhur me prokurorë dhe gjyqtarë, pa harruar ata kryesorët: njerëzit e rrugës, që i ushqejnë këta përbindësha të veshur me pushtetin, që e kanë bërë pronë të tyre. Kryeqyteti ku qytetari guxon të ngrejë dorën kundër shtetit sa herë që i preken interesat dhe thika deri në ashtë i ka arritur, kur emër nuk kanë vuajtjet. Kryeqyteti ku qytetari krenohet me shqiptarizmin e theksuar dhe i shtyp njerëzit që dalin kundër me ose pa dashje. Kryeqyteti ku asgjë nuk mund të bëhet në politikë, po nuk u mor miratimi nga pala kundërshtare, duke respektuar familjet që në heshtje paqen vendosin. Kryeqyteti ku bashkëjetojnë të gjithë: i pasuri dhe varfri, horri dhe i ndershmi, i drejti dhe i shtrembëti, që përgojimin e kanë normë të brendshme. Kryeqyteti ku në qytetarë të pafajshëm terrori lë shenja, që rrallë fshihen nga kujtesa. Kryeqyteti ku qajnë dhe qeshin me britma të llahtarshme, duke i kthyer vajtimet me ligje në këngë dhe valle dasmash. Kryeqyteti i Fan Nolit, që i ka kushtuar kësaj krahine me poezinë e famshme vend nderi si asnjë qytet tjetër. Kryeqyteti ku vjedhësi grabit bankën dhe i qetë largohet në drejtim të paditur kur gjurmët janë të dukshme. Kryeqyteti që është bastion i pathyeshëm i qëndresës së një populli, shpeshherë pa kuptim dhe mafien ka ushqyer. Kryeqyteti ku pushka është për trimat me koncepte të vendosura në shekujt të trashëguara. Kryeqyteti që është fuçi baruti sa herë t’u duhet njerëzve me shkrepëse t’i vënë flakën edhe Shqipërisë kur e do rasti. Kryeqyteti ku besimi nuk ekziston dhe Zoti, qoftë edhe nga hipokritët sa për sy e faqe, nuk falënderohet fare. Kryeqyteti që nga marrëzia e madhështisë, edhe kur s’e ka të drejtën, pasojat sociale vuan. Kryeqyteti që mbyt me gurrë dhe e vë përpara një shtet të veshur me hekur. Kryeqyteti që respekton të vrarët, paçka se shpesh ngatërrohen dhe trimave u thur vargje. Kryeqyteti i harruar me dashje, në vlera, dikur i pashtershëm nga politika dritëshkurtër, që nuk shikon përtej hundës, si majtas dhe djathtas, dhe vret jetë njerëzish është peng i 20 vjetve. Kryeqyteti që i përmbledh të dyja: të mirën dhe të keqen, vesin dhe virtytin, egon dhe krenarinë e tyre, por shpesh është jashtë vëmendjes me dashje i plagosur. Pse ka ndodhur kjo pikërisht në Vlorë dhe jo në një qytet tjetër? Kush e ka radhën. Pse u shfrytëzua pikërisht Vlora dhe jo një qytet tjetër? Pse po ndodh dhe pritet të ndodhë së shpejti masakra e radhës? Pse politika, si majtas dhe djathtas, shkon vetëm për qoka, si e do zakoni? Pse u ngritën firmat rentiere në Vlorë, ku qe edhe baza e trafiqeve dhe korrupsionit? Pse nuk vihet dorë mbi rendin dhe ligjin në qytetin e Vlorës? Pse u keqpërdor Vlora si asnjë qytet tjetër i vendit dhe askush nuk pati guxim të merrte përgjegjësi mbi vete? Pse? Dhe shumë “pse?” të tjera, që mbeten për t’u dhënë përgjigje nga njerëzit e pushtetshëm. Kryeqyteti mbi të cilin duhet vënë dorë nga burrat e këtij kombi, që pa humbur kohë duhet të mblidhen. Kryeqyteti ku jeta do të vazhdojë edhe përtej këtyre ngjarjeve me format e tmerrit të kthyer në legjenda. Kryeqyteti i një mijë e një halleve dhe një mijë e një gëzimeve jeton çastet e fundit. Duhet bërë një analizë e gjatë, që rrënjët i ka të fshehura shumë thellë brenda tokës së zhuritur për pak gjak të pastër të përzier me llumin.