E Shtunë, 31 Tetor 2026

Asetet e firmave piramidale, ndryshon procedura e shitjes

20/09/2011  Komisioni i Ekonomisë kalon ligjin. Bajram Malaj: Pa shitur 27 objekte të ish-administratorëve

Pronat e ish-administratorëve të firmave piramidale do të dalin në ankand, por me procedurë të re. Ministria e Financave ka kërkuar ndryshimin e nenit të ligjit të mëparshëm, ku çmimi i pasurive të ish-pronarëve të këtyre kompanive publikohen vetëm pas hapjes së ankandit. Procedura e vjetër ka çuar në hezitimin e të interesuarve për të blerë pasuritë. Kërkesa nga ky dikaster vjen si ndërhyrje që do të mundësojë publikimin e çmimit paraprak të pasurisë nga Agjencia Publike e Pronave, e cila është në varësi të Ministrisë së Financave. Aktualisht pronat janë nën kontrollin e Administratorit të kryetari i Grupit të Mbikëqyrjes së Fajdeve, që është emëruar nga Këshilli i Ministrave.

Pronat e pashitura

Bëhet fjalë për 27 objekte të pashitura, ku përfshihen hotele, lokale apo fabrika. Këto ndërtesa të amortizuara që prej më tepër se 14 vjetësh nuk janë në përdorim dhe ruhen nga institucionet përkatëse të Ministrisë së Financave, që përkthehet në kosto shtesë. Aktualisht vetëm 10 për qind e pronave të firmave piramidale janë ende pa shitur. Kreu i grupit mbikëqyrës, Bajram Malaj, gjatë raportimit para deputetëve të Komisionit parlamentar të Ekonomisë ka theksuar se mospublikimi i çmimit të pronave ka penguar shitjen e tyre. “Çmimi publikohet në momentin e hapjes, ne e kemi gjykuar që është një pengesë për mosngjalljen e interesit dhe afrimit të blerësve. Fakti është që të paktën tani e 2 vjet që ne vazhdojmë të çojmë këto asete për shitje asnjë blerës nuk është afruar, as shfaq interesimin deri në këtë moment. Përjashto apartamentet që janë në qytete të ndryshme të vendit, të cilat janë të bllokuara janë 27 objekte, dyqane, hotele të braktisur etj”, - tha Bajram Malaj. Me kryerjen e veprimit juridik të shitjes, e drejta e pronësisë, të drejtat reale, si dhe çdo e drejtë tjetër mbi pasurinë e shoqërisë apo të personit të lidhur me të, i kalon blerësit. Këto të drejta mbrohen me dispozitat e parashikuara në këtë ligj. Deputetët argumentuan se është e nevojshme që për 27 prona të pashitura të ndryshohet ligji. Tanimë pritet që projektligji me ndryshimin ligjor në procedurën e shitjes të kalojë në seancë plenare, pasi u miratua vetëm me 10 vota pro të mazhorancës dhe 6 kundër të deputetëve të opozitës.

Ligji i vitit 1998

Sipas ligjit për shitjen e këtyre objekteve, që është miratuar qysh në vitin 1998, personat juridikë jobankarë që kanë marrë hua nga publiku i gjerë, nuk kanë të drejtë që, pas realizimit të shitjes, të riblenë pasurinë e shoqërisë apo të kërkojnë në gjykatë të drejtën për kthim në favor të tyre. Radha e shitjes së pasurisë të shoqërisë caktohet nga administratori. Ky i fundit saktëson përpara fillimit të procesit të shitjes të drejtën e pronësisë, përkatësinë dhe vendos për formën e procedurën e shitjes, deri në arkëtimin e çmimit të shitjes së tyre. Me shitjen e pasurisë së shoqërisë, konsulenti juridik, në emër të administratorit, bën veprimet e duhura për likuidimin dhe çregjistrimin e shoqërisë huamarrëse nga regjistri tregtar. Shitja e aseteve të ish-firmave rentiere bëhet sipas tri formave, shitje direkte, ankand dhe tender publik. Administratori, duke respektuar kriteret e vendosura në këtë ligj, përcakton formën e shitjes. Ai mund të zbatojë një, disa ose të gjitha format e mësipërme. Në raste të veçanta mund të përdoret agjent për shitje.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›