Pse tani kjo dashuri me arabët?
Jemi që prej vitit 1992 anëtar të Konferencës Islamike por, përveç qejfit të fillimit, u desh të kalonin 20 vjet që ti riktheheshin marrëdhënieve intensive me këto vende. Shtypi ishte mbushur sot me vizitën e kryebashkiakut Basha në Katar dhe binjakëzimin e Tiranës me kryeqytetin, Doha.
Që nga prilli i vitit të shkuar, kur u nënshkrua kredia me Bankën Islamike për Zhvillim, me vlerë 222.7 milionë dollarë për rrugën Tiranë-Elbasan, midis Shqipërisë dhe disa shteteve arabe ka pasur shkëmbime intensive vizitash (kujtojmë vizitën e Bashës në Kuvajt, vizitën e Bodes në Emiratet e Bashkuara, Topalli në punimet e Konferencës Islamike, etj) si edhe nënshkrimi i një serë marrëveshjesh të tjera.
Thuajse të gjithë këto vizita kanë pasur në sfond paranë. Vendet arabe kanë financuar me rreth 318 milionë dollarë rrugën Tiranë-Elbasan duke i caktuar qeverisë kushtet dhe ligjet e tyre. Madje në marrëveshjen e fundit të firmosur me Fondin e Abu Dabit me vlerë 50 milionë dollarë, qeveria zotohet të mos bëjë asnjë pagesë pa vënë më parë në dijeni bankën.
Kemi trumpetuar me të madhe deri më tani orientimin kah perëndimit, por nevoja për dinarët arabë ka bërë që ti kthehemi sërish dashurisë së fillim viteve 90.
*respublica.al
http://respublica.al/artikuj/2012/2/13/pse-tani-kjo-dashuri-me-arabet