E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fino: Këshillohuni me Gazideden dhe Klosin

Spiunët Afati i fundit për relatorët

Ish-kryetari i Qeverisë së Pajtimit Kombëtar, dalë pas marrëveshjes shumëpartiake të 9 marsit 1997 deri në fillimgushtin e atij viti, Bashkim Fino u propozoi dje dy relatorëve të projektligjit për bashkëpunëtorët e ish-Sigurimit të Shtetit që të këshillohen me dy ish-kryetarët e Shërbimit Informativ, Bashkim Gazidede dhe Fatos Klosi. Bashkim Fino tha se këshillimi me Gazideden dhe Klosin në cilësinë e specialistëve do të ishte me vlerë në përpilimin e projektit përfundimtar të ligjit.

Komisioni i Ligjeve do të ridiskutojë sot projektligjin e spiunëve, ku nuk do të lihet më kohë, por do të vijojë diskutimi nen për nen, pasi të hënën është përcaktuar votimi në seancë. Të dy relatorëve, Aldo Bumçit të PD-së dhe Arben Isaraj të PS-së, iu la dje 24 orë kohë, siç u interpretua herën e fundit, për të gjetur pikat e përbashkëta të tre drafteve që janë depozituar nga PD-ja, PS-ja dhe PDK-ja. Madje. menjëherë pas këtij diskutimi, për të mos humbur kohë, kreu i komisionit, Fatos Beja, iu ka kërkuar vetëm dy relatorëve të largohen nga mbledhja, e cila vazhdoi me diskutime të tjera. Ndërkaq, anëtari i këtij komisioni, Bashkim Fino, kërkoi që të dy relatorët të konsultoheshin edhe me specialistë, ndërsa mori si shembull dy krerët e mëparshëm të SHIK-ut, Bashkim Gazideden dhe Fatos Klosin. Rezultati i kohës së lënë në dispozicion do të shikohet sot, në mbledhjen e radhës. “Do të ishte mirë që ne të dilnim me një ligj të përbashkët dhe të mbështetur nga të gjitha palët, në emër të zhvillimit të mëtejshëm të demokracisë në Shqipëri, por në pamundësi të kësaj, atëherë nesër do të diskutohet dhe do të votohet nen për nen mbi të tre variantet e paraqitur nga grupet parlamentare, si dhe mbi propozimet e sjella nga deputetët individualisht”, - u shpreh kreu i komisionit, Fatos Beja. Ai kërkoi që të dyja palët të gjenin pikat e përbashkëta, e të aty ku kishte kundërshti, të bënin propozimet e tyre. Debate në komision shkaktoi edhe deklarata e ish-kryeministrit Pandeli Majko, i cili kërkoi që, “kush kishte konflikt interesi me këtë ligj, më mirë të mos merrej fare”. I. S

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›