E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pse u eliminua?

Kompozitorët kosovarë nuk e kuptojnë pse Aurela Gaçe është eliminuar nga “Eurovision 2011”. Ata thonë se paraqitja skenike e këngëtares ka qenë shumë e mirë dhe se nuk i dinë arsyet e eliminimit të saj. Nga Ardian Jasiqi më 12 maj 2011 në ora 19:38

Eliminimi i hershëm i Shqipërisë nga gara në “Eurovision” ka befasuar shumë kritikë të muzikës në Kosovë. Ata thonë se kënga e Aurelës ishte një këngë e cila u interpretua shumë mirë nga Aurela, përderisa nuk e dinë ende arsyen e plotë pse ajo është eliminuar.
Valton Beqiri, ish ministër i kulturës dhe kompozitor, thotë se ndoshta shkaku kryesor i eliminimit të hershëm të Aurelës është përkthimi i tekstit në anglisht.

“Mendoj se teksti në gjuhën angleze nuk i është përshtatur si duhet interpretimit të këngëtares. Kjo këngë ka tingëlluar shumë më mirë në gjuhën shqipe, andaj mendoj se ndoshta është dashur të shkruhet një tekst krejt tjetër në anglisht, në mënyrë që shqiptarët të llogaritin edhe në votën e të tjerëve”, ka thënë Beqiri.

Ndërkaq, sa i përket jurisë, por edhe konkurrencës së dobët që ka qenë vitin e kaluar në festivalin e RTSH, ku edhe fitoi Aurela, Beqiri thotë se “konkurrenca në RTSH gjithmonë ka qenë e diskutueshme”. “Por, sa i përket këngës në fjalë, mendoj se ajo përmban një ngjyrë shqipe, që është me rëndësi edhe për festivalin e ‘Eurovision’, pasi që në të përfaqësohet multi-kultura e shteteve evropiane”.

Arsyet e eliminimit të hershëm nuk i di as kompozitori Florent Boshnjaku, i cili thotë se është i befasuar nga ky eliminim.

“Të them të drejtën ato këngë që i kam parë, pra shumicën prej tyre, nuk kanë qenë më të mira se kënga e Aurelës. Mendimi im personal është se e ka merituar të shkojë në finale. Pse nuk ka shkuar, nuk e di”, thotë ai për Express.

Sipas tij, kënga e Aurelës ka qenë një këngë për Eurovision, pasi që ka edhe elemente të muzikës shqiptare. “Pra, në ‘Eurovision’ shkojnë këngë të këtilla, nuk kërkohen këngë pop, sepse zhanri i këtillë është zbuluar nga vetë evropianët. Pra, sa i përket realizimit, interpretimit, paraqitjes skenike, mendoj se Aurela ka qenë perfekt. Pse është eliminuar, nuk e di”, ka thënë ai.

Këngëtarja shqiptare, Aurela Gaçe ka bërë prezantimin e saj në natën e parë gjysmëfinale përballë 18 konkurrentëve të tjerë. Gaçe ka kënduar live me tone të larta këngën ritmike “Feel the pasion”, kompozuar nga Shpëtim Saraçi me tekst të Sokol Marsit. Ajo është ngjitur e treta në arenën e Dyseldorfit, në skenën e madhe ku pati thënë se ndihet komode.

Në një sfond të kuq, ku disa drita të bardha kanë improvizuar krahët e shqiponjës, Gaçe është shoqëruar në skenë nga kitaristi Bledar Sejko dhe bateristi Emiliano Dhimo. Veshja ishte ajo e parashikuara, stiluar nga Mirela Nurçe.

Votat
Pavarësisht lavdërimeve të kompozitorëve dhe fjalëve nga shqiptarët se ka pasur votim politik, në këtë rast organizatorët kanë thënë se 50 për qind e votimit varet edhe nga juritë e televizioneve publike të shteteve pjesëmarrëse. Publiku voton, por vota e tij llogaritet vetëm 50 për qind, një gjë e cila ka bërë që Italia të kthehet përsëri në këtë festival.

Rruga deri tek Eurovisioni
Aurela Gaçe kishte fituar Festivalin e RTSH-së në Shqipëri në dhjetor të vitit 2010. Për këtë festival ishte thënë se kanë ndjekur traditën e vlerësimit joadekuat nga ana e jurisë, përderisa disa këngëtarë kosovarë ishin tërhequr nga festivali, pasi që e kishin konsideruar si “mision i pamundur që të fitohet ai”. Ishte thënë se atë do ta fitojnë Alban Skenderaj dhe Miriam Cani. Kjo e fundit është shumë e njohur për publikun evropian, sidomos me grupin Preeluders dhe një emision që e ka në RTL, ndërsa disa kritikë kishin thënë se ajo mund të ishte renditur më lart se Aurela në festival.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›