E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dyshimi: I prenë venën në fyt

Ekspertiza mjeko-ligjore pritet të nxjerrë shkakun e vërtetë të vdekjes në QSUT të 17-vjeçares korçare Marsela Petriti TIRANË - Shkaku i vdekjes së 17-vjeçares nga Korça, Marsela Petriti, është humbja e madhe e gjakut nga një venë e prerë në fyt. Edhe pse konkluzionet e ekspertizës mjeko-ligjore do të kërkojnë disa ditë që të dalin zyrtarisht, nga puna paraprake bëhet e ditur se hemorragjia i ka shkaktuar vdekjen vajzës së re. Trupi i saj ndodhet në morgun e spitalit dhe po i nënshtrohet ekspertizës. Përfundimi i saj mund të ndryshojë shumë fakte, por babai i Marselës bën publik faktin, se e bija ka vdekur nga një gabim i mjekut që e ka operuar në Pogradec, i cili sipas tij i ka prerë gabimisht një arterie në fyt, gjatë heqjes së bajameve. Një ndërhyrje kirurgjikale e disa ditëve më parë, në bajamet e viktimës, mësohet të ketë qenë strumbullari i problemeve për adoleshenten, e cila do të sillej tri ditë më parë në spitalin francez të Otorinolaringologjisë (ORL) në Tiranë. Por edhe këtu problemet me fytin kanë vazhduar, derisa ajo mbylli përgjithmonë sytë dy net më parë. Nga burime policore zyrtare bëhet e ditur se do të jetë autopsia, ajo që do të ndihmojë hetimet në lidhje me vdekjen e dyshimtë të vajzës, të cilat organi i akuzës i ka nisur që mëngjesin e djeshëm. Burimet bëjnë me dije se përfundimi i autopsisë së kryer nga mjeko-ligjorët do të mund të përcaktojnë, përveç shkakut të hemorragjisë, edhe shkaktarët. 17-vjeçarja Marsela Petriti nga Korça ndërroi jetë në orët e vona të mbrëmjes në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, pasi u soll me urgjencë pas hemorragjisë që iu shkaktua nga operacioni që kreu në qytetin e Pogradecit. Familjarët e saj akuzojnë publikisht mjekun pogradecar privat, që është njëkohësisht edhe mjek në QSUT. Babai i 17-vjeçares pohon se do t’i shkojë deri në fund çështjes, pasi e ngarkon me përgjegjësi doktorin Xhevahir Hoxhallarin dhe se sipas tij, ai duhet të gjykohet. Një pjesë e fajit po sipas familjarëve, shkon edhe tek pesë mjekë të tjerë të spitalit francez, të cilët nuk e kanë mjekuar siç duhet vajzën, dhe se duke e lënë pas dore, ajo ka humbur një sasi të konsiderueshme gjaku, gjë që e çoi drejt vdekjes. Prokuroria e Tiranës dhe ajo e Pogradecit filluan hetimet për të zbardhur të vërtetën e vdekjes tragjike të 17-vjeçares. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›