Miratohet vendimi për shkurtimin e taksave – opozita bojkoton investimet për Tiranën
Nga paranoja e debatit, edvinistët bojkotuan dje edhe këshillin bashkiak të Tiranës, duke mos mbështetur 5 vendimet e administratës “Basha” për investime të rëndësishme, si dhe reformimin e ekzekutivit të bashkisë
Basha: “Bashkëpunoni për të mirën e qytetarëve – zgjodhët ditën e gabuar për bojkot”
Kryetari i bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, ftoi dje anëtarët e Partisë Socialiste në këshillin bashkiak të Tiranës të bashkëpunojnë me mazhorancën, në të mirë të qytetarëve. Kryebashkiaku Basha tha se nevojitet vullneti për të “respektuar procedurën dhe të dëgjojmë njëri – tjetrin dhe qytetarët e Tiranës. Sipas tij, opozita duhet të japë shembullin e bashkëpunimit Europian. “Kërkoj të ulim gjakrat, të shtojmë bashkëpunimin me njëri-tjetrin”. Kryebashkiaku Basha, shprehu keqardhjen për vendimin e përfaqësueseve të opozitës për braktisjen e mbledhjes së Këshillit Bashkiak. “Ne parashikojmë një Tiranë të hapur për sipërmarrjen e lirë, me vende pune për të papunë, për rininë e Tiranës, për të shkolluar apo jo. Vende pune për të gjithë. Vende pune si përkushtimi kryesor i bashkisë së Tiranës. Por këto vende pune krijohen duke krijuar klimën më të mirë për ata që i krijojnë, sektori privat i sipërmarrjes, që deri më sot nuk ka ndjerë bashkëpunim nga bashkia. Do të ngrihet agjencia e mbrojtjes së konsumatorit, që do të ofrojë një transparencë të rregullave të tregut. Themelimi i kësaj agjencie në ditët e ardhshme do të bëjë të mundur që konsumatorit t’i shërbehet në forma të ndryshme. Bashkia nuk do mbyllë sytë ndaj rritjes së çmimeve. Shpresoj që vendimi tuaj, mos të jetë parathënia e vendimit të përhershëm të bojkotit. Mbetemi të hapur për një bashkëpunim”- u shpreh kryetari i Bashkisë, Lulzim Basha, duke iu drejtuar këshilltarëve të majtë.
Pas thirrjes së kryebashkiakut Basha, për bashkëpunim, këshilltari i PS-së, Aldrin Dalipi tha se “mbledhja e Këshillit Bashkiak u deformua që në fillim dhe për këtë nuk mund të jemi pjesë e mbledhjes”. “Nuk ka mbledhje të rregullt, për këtë arsye do të largohemi”- arsyetoi ai, bojkotimin e mbledhjes. Pas largimit të këshilltarëve socialistë, kryetari i bashkisë kërkoi miratimin e projektvendimeve për të mbajtur premtimet ndaj qytetarëve.
Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi me 29 vota pro, 5 propozime të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, që kanë të bëjnë me heqjen dhe uljen e 60 taksave dhe tarifave vendore, ndryshimin e strukturës organike së Bashkisë, hapjen e tenderit për projektin teknik për segmentin e Unazës së Madhe nga Shkolla Teknologjike tek Qendra Kristal dhe kalimin në dy nivele të rreth-rrotullimit të Doganës së Tiranës, dhënien e titullit Qytetar Nderi, për Kryeministrin e Kuvajtit, Emirin e Katarit, dhe për aktoren shqiptaro-amerikane, Eliza Dushku. Gjithashtu, Këshilli Bashkiak miratoi vendimin për kalimin e Futboll Klub “Tirana”, në shoqëri aksionere.
Mbledhja
Këshilli Bashkiak i Tiranës zhvilloi dje mbledhjen e parë që pas konstituimit të tij, e cila u shoqërua me debate të ashpra si dhe replika mes anëtarëve të tij. Kreu i Këshillit Njazi Kosovrasti, i njohu të pranishmit me projektvendimin që ishte përcaktuar në rendin e ditës, ndërsa përfaqësuesit e opozitës e kundërshtuan atë me argumentin se duhej të shpallej të paktën 8 ditë para. Kreu i grupit të këshilltarëve të PS-së, Aldrin Dalipi, tha se njoftimi për mbajtjen e mbledhjes dhe rendin e ditës është në kundërshtim me rregulloren dhe ligjin. Sipas Dalipit këshilltarët e PS-së kanë dërguar një kërkesë për një mbledhje jashtë radhe në shtator, dhe nuk është pranuar, duke shkelur ligjin dhe rregulloren. Por, nga ana tjetër kreu i këshillit bashkiak Njazi Kosovrastit, tha se kërkesa nuk ka qenë e mbështetur në rregullore dhe ligj, ndaj dhe është refuzuar. Kreu i grupit të këshilltarëve demokratë në këshillin bashkiak, Ferdinand Poni akuzoi këshilltarët e majtë se kërkojnë të dëmtojnë mbledhjen dhe rendin e saj të ditës. Ndërkohë këshilltarët e majtë bojkotuan mbledhjen, duke u larguar nga salla. Propozimet e mbledhjes së djeshme ishin ajo e shpalljes “Qytetarë Nderi” të Tiranës, të Emirit të Kuvajtit dhe aktores Eliza Dushku; vendimi i rëndësishëm për ristrukturimin e administratës së bashkisë, propozimin për lehtësime të biznesit, ulje taksash, projektvendimin për hapjen e tenderit për segmentin Shkolla Teknologjike – Qendra Kristal dhe rreth rrotullimin e doganës. Ndër të tjera janë betuar edhe dy këshilltarët e fundit të koalicionit “Aleanca për qytetarin”, Bojken Lako dhe Mimoza Kazaferi, të cilët zëvendësojnë përkatësish ish anëtarët e këshillit bashkiak, Jorida Tabaku dhe Edmond Panariti. Këshilli bashkiak përbëhet nga 55 anëtarë, 28 prej të cilëve i përkasin koalicionit të djathtë “Aleanca për Qytetarin” dhe 27 koalicionit të majtë “Aleanca për të Ardhmen”.