E Diel, 1 Nëntor 2026

Të vërteta që nuk mund të fshihen

Artikulli është një përgjigje ndaj shkrimit “Këshilltarët sovjetik dhe roli i tyre”, botuar në gazetën “55” në datën 21 janar 2013 me autor z. Kastriot Dervishi. Po e filloj me radhë: Z. Dervishi juve nuk ju njoh e po ashtu edhe ju mua. Këtë po e theksoj për lexuesit që të mos mendojnë se ka diçka midis nesh. Nga fotografia e botuar në gazetë je i ri dhe jo i moshuar si unë. E filloni artikullin me përcaktimin se “shtetin komunist të Shqipërisë e formatuan Këshilltarët Sovjetikë”. Jam i detyruar t’u kujtoj se fati dhe rruga e shqiptarëve nuk është vendosur nga shqiptarët dhe aq më tepër nga këshilltarët, cilët do të ishin ata komunistë apo ballistë. Ai u vendos në Janar 1945 në konferencën e tre Fuqive të Mëdha në Jaltë të Krimesë. Sqaroni se shteti i fundit të vitit 1944 kishte një model organizimi që gjatë kohës së mbretit Zog. Kjo nuk qëndron pasi mbreti Zog iku u largua me gjithë shpurën e tij dhe e la Shqipërinë në mëshirë të fatit. Me pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste u vendos administrata “alla romana” dhe më vonë, me kapitullimin e Italisë fashiste, vendin e tyre e zunë forcat gjermane, të cilat vendosën regjencën dhe një qeveri të përbërë nga njerëz kolaboracionistë, të Ballit Kombëtar e të tjerë. Këta u vendosën në shërbim të okupatorëve dhe mandje që në fillimin e muajve Gusht, Shtator, Tetor 1944 u larguan me mjete detare për në Itali dhe të tjerë për në Mal të Zi. Unë disponoj dokumente autentike, të nxjerra nga dogana BAR “Tivari”, me emër të plotë dhe origjinën partiake, ‘Balli’, ‘Legaliteti’ dhe ‘Nacionalistë’ të deklaruar nga ata që imbarkoheshin për në Itali. Kështu që qeverisë demokratike nuk i kishte mbetur gjë nga e kaluara. Jo vetëm kaq, por unë di shumë mirë që intelektualë të papërzierë, qëndruan në punë dhe pranë tyre u vendosën njerëz për t’u njohur me punët dhe detyrat e administratës. Është e vërtetë që qeveria e re nuk kishte kuadro të përgatitur se shumica ishin pa shkollë e pa arsim, kështu që u mbajtën specialistë të kohës së Zogut dhe të periudhës së okupacionit. Me të drejtë thua që “Hoxha nuk kuptonte nga punët e shtetit dhe për këtë i duheshin këshilltarët”. Por edhe mbreti Zog, që ti e ke aq për qejf z. Dervishi, suprimoi Ministrinë e Luftës me urdhrin nr. 2/V, datë 06.01.1925. Suprimoi Ministrinë e Luftës duke nxjerrë në lirim gjithë stafin drejtues e komandues dhe krijoi postin e Komandës së Përgjithshme të Fuqisë Armate, post të cilin e mbajti vetë. Bëri riorganizimin e ushtrisë në sistemin e milicisë, të programuar që në vitin 1920 nga studiuesi Austriak G. Murdoc i cili në 1925 emërohet në postin e kryetarit të Shtabit Madhor. Sikundër shihet jo vetëm këshilltar, por shef kryesor i ushtrisë shqiptare, pa harruar edhe dhjetëra këshilltarë të tjerë bjello-gardistë që solli me vete kur përmbysi qeverinë e F. Nolit. Nga fundi i vitit 1927, pas nënshkrimit të Traktatit të Miqësisë me Qeverinë Italiane, Zogu kaloi në ndërtimin e ushtrisë së rregullt, ushtri kazerme ku këtë detyrë e mori koloneli Italian Alberto Pazini. Po kështu me ardhjen e 5 copë “MAS” të tipit ELCO, anije të shpejta, për flotën u caktua këshilltar italian. E njëjta edhe në njësitë e tjera si ajo e ndërlidhjes artiliere. Po në 23 maj 1933 me dekret mbretëror nr. 677/XI, të tri ofiçinat, ajo e artilerisë, e xhenios dhe e depos së përgjithshme, bashkohen në një të vetme me administrim autonom, ku drejtor emërohet nënkoloneli Benvenuto Pettinari, nëndrejtor, kapiteni Molehiave Cassanore. Sikundër shihet janë më shumë se këshilltarë, por zotër të kësaj pasurie. Në vitin 1992 me fitoren spektakolare të demokracisë erdhi në fuqi Partia Demokratike që u mbështet nga masa e popullit. U premtua liria, barazia dhe drejtësia. Menjëherë edhe i sapozgjedhuri, z. Berisha ndoqi shembullin e mbretit Zog: goditjen e parë ja dha ushtrisë, ajo ushtri e cila ishte e depolitizuar dhe mbajti qëndrim asnjanës, I nxori në pension kuadrot kryesore dhe vendosi kuadrot e liruar për detyra të ndryshme nga ata që ishin besnikë të tij. Në Ministrinë e Mbrojtjes erdhën me dhjetëra këshilltarë amerikanë dhe kjo shumë mirë, se perspektiva e ushtrisë do ishte ajo e NATO-s dhe e paktit të Atlantikut. Në fakt kjo nuk zgjati shumë dhe këshilltarët amerikanë në 1994 u larguan. Arsyet i di Presidenti. Kthehemi te Këshilltarët Sovjetikë të cilët ishin në ushtri, për arsyen e thjeshtë se ushtria shqiptare nga lufta trashëgoi një armatim të lehtë, shumë të konsumuar, më pak municione dhe një larmi tipesh armësh të vendeve dhe shteteve të ndryshme. Pra kërkohej modernizimi. Ai filloi edhe me ardhjen e teknikës së re, të armatimit të ri, nga ish-Bashkimi Sovjetik dhe patjetër nevojiteshin edhe këshilltarë të specializuar në profile të ndryshme. Por këta specialistë që vinin këtu nuk jepnin leksione politike dhe filozofike; ata ndihmonin në përvetësimin, zotërimin dhe përdorimin e teknikës, mjeteve detare, aviacionit, teknikën artiliere, raketave, radio-teknikës etj. Këtë po ua them me përgjegjësi se unë vetë kam qenë në komandën e F.L.D në Vlorë në kohën e zgjerimit të dytë të bazës detare të Vlorës. Me kërkesën tonë erdhën në flotë 13 këshilltarë sovjetikë, prej të cilëve nëKomandën F.L.D: 1.Kulik.P.P parn komandantit Kap.R.I/kolonel. 2. Çuikov V.Z pran shtabit të flotës Kap.R.I/ kolonel; 3.Ivanov.V.P pranë drejtorit teknik Kap.R.I/kolonel; 4. Bellov.G.A pranë drejtorit të ndërlidhjes Kap.R.I/N. Kolonel; Ivanov Vladimir Petroviç ishte pranë meje një burrë i moshuar, shumë i përgatitur. Unë i ri, sa kisha përfunduar akademinë e armatimit dhe të ndërtimit të anijeve me gradën kapiten i parë; më ka respektuar dhe më ka ndihmuar shumë në punën dhe detyrën time. Së fundmi z. Dervishi pyes: përse e botoni këtë artikull në 21 Janar, ku flisni për ngjarje të 50-60 viteve të kaluara? Dihet botërisht se dy vjet më parë, në bulevard u vranë katër demonstrues paqësorë dhe u plagosën dhjetëra të tjerë e u hoqën zvarrë dhe u burgosën qindra të tjerë. Pra kjo ditë është ditë e homazheve. Ndërsa ju bëni shkrime që bota mbarë i ka varrosur prej kohësh bashkë me sistemin komunist. Ju nuk doni të kujtohet kjo masakër, të cilën drejtësia akoma edhe mbas dy vjetëve nuk po i jep zgjidhje, sepse drejtësia nuk është e pavarur.

Ing. Fatosh Voshtina


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›