Psikologu në shkollë një ndihmë e nevojshme, psikologia: Ndërgjegjësimi i nxënësve ka ardhur në rritje

Megjithëse shkollat ofrojnë mbështetje psikologjike, shumë nxënës ngurojnë të kërkojnë ndihmë. Paragjykimet dhe mungesa e informacionit shpesh i pengojnë ata të flasin për shqetësimet e tyre.
Psikologia Brisilda Gashi, e cila punon në shkollën e mesme “Havzi Nela” në Kukës, thekson rëndësinë e ndërgjegjësimit të nxënësve për të kërkuar ndihmën e psikologut shkollor.
Ajo vëren se, pavarësisht se ky shërbim është ofruar në shkolla prej më shumë se një dekade, ky ndërgjegjësim ka ardhur duke u rritur.
“Ndërgjegjësimi ka ardhur duke u rritur përsa i përket rolit të psikologut në shkollë. Nëse më parë tërhiqeshin, kohët e fundit është rritur ky ndërgjegjësim. Vijnë edhe vetë, por zakonisht i tërheqim edhe ne”, tha psikologia.
Për më tepër, bashkëpunimi i ngushtë ndërmjet prindërve, mësuesve dhe psikologëve është thelbësor për të krijuar një rrjet mbështetës për nxënësit.
“Bashkëpunimet mes prindërit duhet të jenë të larta dhe të domosdoshme. Me mësuesin fillimisht pastaj me drejtorinë e shkollës dhe më të gjithë shërbimin”, thekson ajo.
Punonjësit socialë në mbarë vendin thonë se kërkimi i ndihmës nga psikologu shkollor është një hap pozitiv drejt mirëqenies së përgjithshme të nxënësve.
Gazetare: I. Bajraktari
/rtsh.al/