E Enjte, 5 Nëntor 2026

Publikimi i pagave, PD: Përgjegjësia bie mbi SPAK, duhej të kishte hetuar patronazhistët!

Partia Demokratike përmes nënkryetarit Enkelejd Alibeaj tha sot se skandali i publikimit  të pagave, do të ishte parandaluar nëse SPAK do të kishte hetuar për publikimin e të dhënave personale të qytetarëve nga Patronazhistët, skandal që sipas tij u përdor nga PS në zgjedhjet e 25 Prillit. “Qeveria nuk mund t’i fshihet përgjegjësisë për këtë skandal të madh. Daljet butaforike dhe batutat e Edi Ramës nuk mund të lënë në harresë faktin që të dhënat sensitive të mbi 630 mijë shqiptarëve janë sot në duart e bandave dhe kriminelëve. Përgjegjësia bie dhe mbi SPAK, institucioni që duhet te kishte hetuar me seriozitet dhe deri me fund skandalin me të dhënat personale të qytetarëve që Partia Socialiste përdori nëpërmjet patronazhistëve për zgjedhjet e 25 prillit”, tha ai.

“Por kur SPAK hesht, është e qartë se manipulatorët e politikës nuk frikësohen të zgjasin duart dhe të ndërhyjnë atje ku çdo shqiptar i ka besuar shtetit të dhënat e tij personale. Është e qartë që ideatorët dhe zbatuesit e skemës së publikimit të të dhënave personale të qytetarëve shqiptarë, si në rastin e patronazhistëve ashtu dhe në atë të disa ditëve më parë, është kupola e korruptuar e partisë shtet, e aftë për të përdorur çdo mënyrë dhe mjet në funkskon në interësit personal”, u shpreh Alibeaj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›