E Diel, 1 Nëntor 2026

Reshje intensive bore edhe në kryeqytet, probleme në aksin “Tiranë–Durrës”



Reshjet e borës dhe ngricat që zgjatën për orë të tëra dje në qytetin bregdetar të Durrësit, por edhe në kryeqytet, zbardhën të gjithë zonën. Këtë radhë ato kanë shkaktuar probleme të mëdha në qarkullimin e automjeteve në aksin “Tiranë-Durrës”. Në autostradë, për shkak të mungesës së zinxhirëve, shumë automjete kanë rrëshqitur duke u përplasur me njëra-tjetrën apo me tabelat anës rrugës. Situata më e vështirë dhe problematike për qarkullimin e automjeteve u paraqit në zonën Tiranë-Vorë. Për shkak të reshjeve të dëborës, grupet e mirëmbajtjes së rrugëve kanë filluar dhe hedhjen e kripës dhe skorieve, ndërsa ky segment ka mbetur i bllokuar për disa minuta nga policia. Policia Rrugore, e pranishme në disa pika të autostradës, i ka këshilluar drejtuesit të ulin shpejtësinë dhe të pajisen me zinxhirë për të evituar rrëshqitjen. Në Durrës dukuria e dëborës nuk ishte parë prej më shumë se 23 vitesh, ndërsa në Tiranë reshjet e borës filluan të binin edhe pak ditë më parë, por për shkak të lagështisë, ato shkriheshin në moment. Sipas meteorologëve, gjatë natës së të shtunës në Ultësirën Perëndimore reshjet e borës do të kthehen në reshje të dendura shiu, ndërsa në zonat malore bora do të vazhdojë me intensitet akoma më të lartë. Policia Rrugore këshillon përdorimin e zinxhirëve, ndërkohë që sipas burimeve të Ministrisë së Transporteve, po merren masa për hedhjen e kripës e skorieve në zonat më problematike. Po këto burime bëjnë të ditur se për shkak të reshjeve, aksi Tiranë – Dajt – Qafë-Mollë është i kalueshëm vetëm me zinxhirë, në pjesën mbas traut dhe nga trau te Parku i Dajtit. Në aksin Tiranë–Kërrabë, km 29, ka prezencë akulli dhe dëborë dhe punohet vazhdimisht për mbajtjen në kushte normale për qarkullimin e mjeteve. Në rrugën e Ndroqit ka prezencë akulli dhe dëborë. Ka filluar puna për shpërndarjen e kripës, nuk ka probleme për qarkullimin e mjeteve.

Probleme
Bora dhe ngricat kanë shkaktuar probleme të mëdha në qarkullimin e automjeteve edhe në pjesën më të madhe të akseve rrugore të vendit, nga jugu në veri. Ministria e Punëve Publike dhe Transporteve, si çdo ditë, edhe dje bëri publike akset më problematike. Në veri të vendit vështirësi në qarkullim ka pasur në Kukës, në akset Qafë-Qelë – Pukë - Fushë-Arrëz – Qafë-Mali - Qafë-Shllak, Qafë-Mali – Fierzë. Në kryqëzimin Hadroj – Qafë-Benë rrugët janë të kalueshme me zinxhirë. Në aksin rrugor Kukës – Krumë, Kukës – Topojan - Shishtavec, nga Topojani – Shishtavec ka prezencë akulli, qarkullimi i mjeteve kryhet me vështirësi dhe me zinxhirë. Në Tropojë probleme ka në aksin Bajram Curri – Kam. Këtu qarkullimi i mjeteve kryhet me zinxhirë. Aksi Kukës – Draj Reç, në 10 km e fundit, rruga është bllokuar për shkak të mbulimit të rrugës me rreth 1 metër dëborë. Në segmentin rrugor Bajram Curri–Fierzë, km 11, qarkullimi i mjeteve kryet në një kalim. Në aksin kryesor Milot – Peshkopi, vetëm segmenti rrugor Klos – Qafë-Dushku – Qafë-Bualli – Peshkopi, qarkullimi kryhet me zinxhirë. Në aksin rrugor të Peshkopisë, Ura e Çerenecit – Steblevë, segmenti Ura e Cerenecit – Qafë-Dragalicë, është i kalueshëm me vështirësi, me zinxhirë, ndërsa segmenti rrugor Qafë-Dragalica - Steblevë është i bllokuar për shkak të dëborës.
Në aksin Qafë-Bualli – Krastë qarkullimi i mjeteve kryhet me zinxhirë. Në aksin Peshkopi - Muhur – Qafë-Draj qarkullimi kryhet me zinxhirë. Në aksin Shpal – Ura e Rrepsit kalimi i mjeteve sot bëhet pa probleme. Në qytetin e Rrëshenit, aksi Rëshen – Qafë-Benë ka dëborë dhe kalimi i mjeteve kryhet vetëm me zinxhirë. Ndërsa në superstradën Rrëshen – Milot ka prezencë shtresë të hollë ngrice, por pa problem për qarkullimin e mjeteve. Segmentit rrugor nga Biza e Martaneshit e tutje kalimi bëhet me zinxhirë. Në aksin rrugor Librazhd – Steblevë vetëm në pjesën Lunik – Steblevë qarkullimi kryhet me zinxhirë. Ndërsa në të gjithë aksin Berat – Çorovodë qarkullimi i mjeteve kryhet vetëm me zinxhirë.

Mësimi
Trashësia e madhe e dëborës në disa komuna në veri, në jug, por edhe në disa zona malore të qarkut të Elbasanit, ka bllokuar rrugët, çka ka bërë që të mbyllen edhe disa shkolla në këto zona të thella. Në Kukës vazhdojnë të mbeten të bllokuara komunat Topojan, Shishtavec, Arren, Zapod, Grykë Çaj, Bushtricë, Kalish, Ujnishte. Në Has janë të izoluara komunat Golaj dhe Gjinaj. Në Tropojë e izoluar komuna Margegaj. Si pasojë e reshjeve të borës që kanë rënë ditët e fundit dhe që vazhdojnë të bien, shumë fëmijë nuk dalin dot nga shtëpia për shkak të ngricave dhe temperaturave të ulëta. E njëjta situatë paraqitet edhe në disa komuna të rrethit të Gramshit dhe të Librazhdit. Në fshatrat e rrethit të Librazhdit, si: Orenjë, Bardhaj, Stravaj, Polis, Vilan, Lunik, Stëblevë, Strajsh etj., nuk zhvillohet mësim prej 3 ditësh si pasojë e reshjeve të dëborës dhe ngricave.

18 Dhjetor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›