Bugajski: Në Shqipëri triumfoi demokracia dhe shteti ligjor, tani duhet të rinisin reformat

Analisti Janush Bugajski, një zë autoritar i çështjeve ballkanike pranë Uashingtonit, komenton zhvillimet politike pas zgjedhjeve vendore të 8 majit, duke i riklasifikuar zgjedhjet si transparente dhe duke bërë apel për nisjen nga puna të komisionit për reformën zgjedhore
Analisti dhe drejtori i Qendrës për Studimet Strategjike Ndërkombëtare në
Amerikë, Janush Bugajski, një njohës i mirë dhe observues i vëmendshëm i zhvillimeve në Shqipëri në një intervistë televizive komenton zhvillimet politike, pas zgjedhjeve vendore të 8 majit. Analisti i mirënjohur thotë se pas këtij zhvillimi të rëndësishëm, Shqipëria ka të tjera detyrime ndaj faktorit ndërkombëtarë, duke filluar nga reformat e integrimit Evropian. Bugajski me modesti e krahason garën e Tiranës mes Bashës dhe Ramës, me atë të Bush-Al Gor, të 11 viteve më parë, ku vendimet e gjykatave legjitimuan fitoren e George W.Bush. “Nëse nuk do të kishim një rezultat kaq të ngushtë për garën e Tiranës, atëherë problemet do të ishin më të vogla. Të gjithëve na kujtohet gara mes Bush dhe Al Gor këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 2000 ku kishim një rezultat për të cilin u desh disa javë që të kishim një zgjidhje. Diferenca është se në Amerikë kemi dy parti politike dhe situata nuk u polarizua aq shumë për të shkuar në protesta në rrugë apo një destabilitet politik. Tani pas vendimit të kolegjit shpresoj se politikanët do ta pranojnë këtë vendim dhe duhet të ecin përpara. Shqipëria ka shumë punë për të bërë për të plotësuar atë që është më e rëndësishme integrimin europian”- ka deklaruar Bugajski. Analisti Bugajski i kujton faktorit politik se një garë e tillë në Tiranë (me rezultat të ngushtë), mund të përsëritet në çdo kohë dhe se kjo tregon maturinë demokratike të qytetarëve shqiptarë në përzgjedhjen e alternativave politike. Sipas z.Bugajski, gara elektorale e ngushtë, është tregues i demokracisë solide. “Nga ajo që unë arrij të kuptoj nga deklarimet e OSBE apo Këshillit të Europës këto zgjedhje ishin ndër më transparentet që Shqipëria ka patur. Siç e thashë rezultati ishte i ngushtë dhe mes partive politike pati një ndarje të madhe për këtë rezultat kaq të ngushtë. Kudo nëse do të ishte një rezultat i tillë, atëherë kundërshtitë do të ishin të paevitueshme. Të gjitha hapat e mëpasëm me hetimin, ri-numërimin kemi fitues zotin Basha me një numër të ngushtë votash gjë e cila edhe ndodh ndonjëherë siç e panë në Amerikë dhe mund të ndodhë përsëri në zgjedhjet presidenciale”- vëren Bugajski. Duke iu referuar deklaratave të opozitës shqiptare dhe injorimit prej saj të qëndrimit të ndërkombëtarëve, Bugajski e quan këtë si hap fals, pasi opozita bashkë me qeverinë duhet të dëgjojnë këshillat e komunitetit ndërkombëtar. Ndonëse sipas tij, palët politike duhet të ulen në tryezën e dialogut politik, për hartimin e reformës elektorale. Një kërkesë kjo edhe e Partisë Demokratike, jo më larg se dy ditë më parë, përmes kreut të grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi. “Është e domosdoshme përmirësimi i Kodit Zgjedhor. Fokusi Shqipërisë duhet të jetë integrimi europian. Jam i sigurt se diplomatët e huaj në Tiranë mund të luajnë rrolin e tyre por janë politikanët shqiptarë, vetë shqiptarët ata të cilët duhet t’i kthejnë rregullin shtëpisë së tyre”- vazhdon Bugajski. Janush Bugajki e shikon si imediate që Shqipëria të dalë nga ky ngërç politik ku është futur: “Shqipëria duhet ta ketë të qartë se çfarë duhet bërë”. Të qëndrojë në vendnumëro e bllokuar nga ky ngërç elektoral, apo të ecë përpara për të fituar statusin e vendit kandidat, për të tërhequr më shumë investitorë, që njerëzit të jetojnë me standarde më të mira. Problemeve që dolën në zgjedhje duhen analizuar për mos të ndodhur më dhe duhet përmirësuar sistemi zgjedhor që të tilla probleme të ngjashme mos të ndodhin në të ardhmen. Shqiptarët duhet të vendosin të shikojnë nga e shkuara apo e ardhmja që është një çështje kyçe për Shqipërinë në arritjen e objektivave europiane” - deklaron më tej analisti i mirënjohur, drejtori i Qendrës për Studimet Strategjike Ndërkombëtare në Amerikë, Janush Bugajski.