E Shtunë, 31 Tetor 2026

Publiku nuk është gati për teatrin eksperimental

“Festivali teatror i të rinjve këtë vit ka pasur një pjesëmarrje më të madhe”. Ky është konkluzioni më i rëndësishëm që kanë nxjerrë organizatorët pak ditë para përfundimit të Festivalit Teatror të të Rinjve. Por pjesëmarrja nuk është domosdoshmërisht tregues për cilësinë.

Regjisorët e rinj kanë vazhduar të fajësojnë buxhetin e vogël për këtë varfëri artistike. Për ata shuma prej 600 mijë lekësh që kanë marrë për një projekt nuk është e mjaftueshme. Madje regjisori i “Pluhuri mbi parvaz”, Irvin Muçaj, tha se për skenografinë dhe muzikën e shfaqjes e kanë ndihmuar miqtë e tij, pasi me aq pak lekë nuk mund t’ia dilte kurrë.

Sipas tyre, fajtore mbetet Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, duke pretenduar se nuk i ka mbështetur sa duhet financiarisht dhe i bëjnë thirrje për më shumë fonde në edicionin e ardhshëm. Ky është një justifikim sipërfaqësor pasi edhe në vitet e mëparshme kur buxheti ka qenë më i madh, pjesët nuk kanë qenë shumë cilësore. Ana tjetër e problemit është zgjedhja e pjesëve. Regjisorët e rinj kanë marrë përsipër të servirin teatër eksperimental që edhe ata vetë nuk e kanë kuptuar. Regjisorja Julia Sinani pohoi se vënia në skenë e “Over there” ka qenë një punë autodidakte. Gjatë rrugës ka mësuar se si duhej punuar me një dramë simbolike. Salla gjysmë e zbrazët është justifikuar me faktin se publiku ende nuk arrin të perceptojë teatrin bashkëkohor. Për regjisorin fitues të vitit të kaluar, Enton Kaca, “publiku ynë nuk është ende gati për teatrin eksperimental”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›