E Diel, 1 Nëntor 2026

Puç i brendshëm

Serbët e Kosovës përgatiten për ndarjen e shtetit të ri dhe kërcënojnë sulme ndaj shqiptarëve

Vetëm një javë pasi shpalli pavarësinë, Kosova, shteti më i ri i botës, fatkeqësisht po përballet me rrezikun e copëtimit të territorit të saj. Pas Beogradit, që tri ditë më parë nisi “Planin e Veprimit”, tani janë vetë serbët e Kosovës që po përgatiten për një ndarje “de fakto” të shtetit të sapolindur, refuzojnë të njohin pavarësinë e tij apo autoritetin e liderëve kosovarë. Për 6 ditë me radhë, serbët e qytetit verior të Mitrovicës protestuan masivisht e shpesh me dhunë kundër pavarësisë, duke shkaktuar tension. Me shumë durim e kujdes, paqeruajtësit ndërkombëtarë u përpoqën t’i mbajnë protestuesit larg pjesës jugore të qytetit ku ndodhen shqiptarët, për të mos lejuar ndonjë konfrontim mes tyre. Por duke qenë se i gjithë tensioni si në Serbi, ashtu dhe në Kosovë është i paramenduar, tashmë ka nisur faza e dytë e planit: spastrimi i shqiptarëve nga zonat me shumicë serbe. Këtë gjë e pohon vetë lideri i serbëve të Kosovës, Oliver Ivanoviç, në një prononcim për të përditshmen britanike “The Sunday Telegraph”. “Ky është fillimi i një ndarjeje të pjesës veriore të Kosovës. Kam frikë se do të çojë drejt sulmeve kundër asaj pjese të vogël shqiptarësh që jetojnë në veri të Mitrovicës, për t’i detyruar ata të kalojnë nga ana tjetër e lumit”, - shprehet ai. Natyrisht, serbët nuk harrojnë asnjëherë të luajnë rolin që dinë ta bëjnë më mirë: viktimizimin. Edhe pse nuk kanë qenë aspak nën shënjestrën e shqiptarëve, të cilët kanë vepruar me shumë maturi (para, gjatë dhe pas shpalljes së pavarësisë), serbët thonë se i tremben hakmarrjes së shqiptarëve. Sipas vetë Ivanoviç, ndërsa qeveria serbe zyrtarisht premton se nuk do të njohë kurrë pavarësinë e Kosovës, disa zyrtarë dhe grupet e tyre politike po orkestrojnë qetësisht dhe në fshehtësi ndarjen e Kosovës. Vetë ai radhitet ndër liderët moderatorë serbë, megjithëse influenca e tij u zvogëlua ditët e fundit, ndërsa ekstremistët e sponsorizuar prej Beogradit, nisën dhunën. Pak ditë më parë, Slobodan Samarxhiç, ministri serb për Kosovën, i quajti sulmet nëpër pikat kufitare mes dy vendeve të ligjshme dhe në përputhje të plotë me politikat e qeverisë serbe. Deklarata e tij konfirmoi pikërisht planin e Beogradit për copëtimin e shtetit të ri. Në shenjë përçarjeje, oficerët serbë të Shërbimit Policor të Kosovës, forcës shumetnike që shërben në veriun e Mitrovicës, thonë se nuk do të marrin më urdhra nga Prishtina, por se do të këmbejnë uniformat e SHPK-së me ato të policisë serbe. Ata thonë se nuk do të tolerojnë asnjë formë të ligjit shqiptar nga një shtet ilegal, siç e quajnë serbët. Edhe pse KFOR-i ka premtuar se do të ruajë kufirin e Kosovës, Oliver Ivanoviç është tepër skeptik. “Në rast se do të ketë përleshje, KFOR-i do të ruajë më parë vetveten. Dihet që serbët kanë akses tek armatimet, ndaj nuk shoh ndonjë arsye për optimizëm”, - shprehet ai. Në pjesën veriore të Mitrovicës, protestat kundër pavarësisë janë mbajtur çdo ditë, duke shkaktuar edhe më shumë tension, nën nxitjen e agjentëve të paguar prej Beogradit. Duke thirrur “Kosova është Serbi”, mbi 2 mijë serbë marshuan dje përmes qytetit të ndarë etnikisht, në ditën e 6-të protestave kundër shpalljes së pavarësisë. Ndryshe nga protestat e së premtes, ku grupe serbësh sulmuan policinë e UNMIK-ut, protesta e djeshme ishte më paqësore. Megjithatë, policët e Misionit të Kombeve të Bashkuara formuan një kordon në urën kryesore që ndan serbët në qytetin e Mitrovicës nga pjesa shqiptare, pasi disa protestues qëlluan me mjete piroteknike. Protestuesit valëvisnin flamuj serbë dhe rusë, duke thirrur madje edhe emrin e presidentit Vladimir Putin, vendi i të cilit është i vetmi që përkrah Serbinë në qëndrimin e saj kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës. Ndërsa helikopterët e NATO-s fluturonin pa pushim mbi urë, duke monitoruar protestën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›