Dorina Garuci fiton
Ethet
Dyshime te forta ne konkursin e zerave te rinj shqiptare. Kush do te fitoje?
Duket se gjithçka është vendosur paraprakisht dhe shumë pak enigmë ka mbetur për t’u zbuluar mbrëmjen e sotme në finalen e “Etheve të së premtes mbrëma”. Dorina Garuci është emri më i lakuar mes anëtarëve të jurisë, pasi siç shprehet edhe e mirënjohura Zerina Kuke, vajza ka diçka origjinale: një zë të veçantë, talent, pamje të lezetshme, pra gjithçka që kërkohet për të krijuar një pop-star të vërtetë. Normalisht, ajo ka shumë punë për të bërë dhe prova e parë do të jetë konkurrimi në “Top Fest 5”. Mbrëmja e sotme do të shënojë edhe mbylljen e tetë javëve konkurrim e spektakël që dhuroi formati i suksesshëm i “Etheve”, sigurisht nën prezantimin dinjitoz të Adi Krastës. Por ajo që do të mbahet mend gjatë, ishin dhe kushtet e vështira e i ftohti i madh ku u zhvillua ky eveniment, që me gjithë përpjekjet e Pali Kukes dhe investimet e “Top Channel”, është e pamundur që të mendohet edhe për vendosjen e një sistemi kondicionimi brenda Teatrit të Operës dhe Baletit. Një shfaqje ku të gjithë spektatorët kanë pardesytë e xhupat veshur, është e patolerueshme dhe Zhani Ciko e di shumë mirë së TOB-i ka qenë kaherë një skenë e respektuar, ku nuk lejohej askush i veshur me pallto mbi supe. Në fund të spektaklit ka vend të përmenden edhe problemet, siç ishte edhe mungesa e një orkestre. Kur vajzat këndonin në skenë me muzikë në sfond, kjo të jepte përshtypjen e karaokes dhe jo të një spektakli ku pretendohet se këndohet live. Përpos kësaj panorame, me gjithë të mirat e të këqijat e një formati televiziv, tashmë duket se nuk ka mbetur asnjë surprizë për t’u zbuluar, në një kohë kur edhe emri i fitueses është mësuar. Ajo është Dorina Garuci.