E Diel, 1 Nëntor 2026

Dy

Nga takimi i ngrohte Meta - Topi

LSI: Jo nanoistëve brenda koalicionit tonë. Nanoistët: Jo shpërnguljes sonë tek LSI

LSI-ja përjashton mundësinë e afrimit të 6 deputetëve që votuan për Bamir Topin në gjirin e koalicionit të ri. Në krahun tjetër, deputetë që militojnë në PS, të njohur si mbështetës të ish-kryetarit Fatos Nano, theksojnë se do të mbeten pjesë e partisë më të madhe të opozitës. Një ditë pasi Hamit Kosta shprehte në një prononcim për “Korrierin” dëshirën për të kontribuar në koalicionin e iniciuar nga LSI-ja, “E majta për integrim”, sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, kundërshton këtë opsion. “Ata të 6-të jo. Ata s’mund të jenë pjesë e rikompozimit të koalicionit të majtë. 6 deputetët që votuan për të bërë president Bamirin, janë absolutisht të papranueshëm”, - u shpreh Vasili, pasi u pyet nga “Korrieri” lidhur me qëndrimin e shprehur nga Hamit Kosta. Ky i fundit të premten shprehej se e mbështeste lëvizjen e Ilir Metës. “Vlerësoj plotësisht rikompozimin e koalicionit të majtë. Ne si lëvizje do të mblidhemi e do të diskutojmë ditën e hënë për të dalë me një qëndrim të përbashkët. Por unë personalisht, jam i gatshëm të bashkëpunoj me koalicionin e ri”, - deklaronte Kosta. Por as për socialistët mundësia e bashkëpunimit të 6 deputetëve me LSI-në nuk do të përbënte problem. “Le të ikin të përjashtuarit, kjo s’na prish punë”, - i tha dje “Korrierit” nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së, Erion Braçe. Por, ndërsa LSI-ja u kthen shpinën 6 deputetëve që votuan për Topin, deputetët socialistë, mbështetës së ish-kryetarit Fatos Nano, që u takuan të premten me kryesocialistin Edi Rama, e hedhin poshtë mundësinë e shpërnguljes drejt koalicionit të iniciuar nga LSI-ja. “Mendoj që Meta iku, sepse u prish një pazar. Nuk shëndoshet PS-ja duke iu larguar nanoistët. Unë për vete nuk do të jem pjesë e koalicionit të LSI-së. Meta iku dhe ka punën e tij, kurse ne tonën brenda PS-së. Me kryetarin diskutuam lidhur me reformën zgjedhore, ndërsa vërejtjet që kishim ia thamë, që duhet të diskutojë me ne në grup”, - tha për “Korrierin” Rajmonda Stefa. Për Elmaz Sherifin kjo pyetje nuk ka kuptim. “Unë zgjedhjen time e kam bërë me kohë. Lëvizjet e deputetëve janë zgjidhje individuale të gjithsecilit, ndërsa problemet janë tek formacionet politike. Nuk është problemi kush do të shkëputet e kush do të ngjitet në PS. Problemi duhet parë: “Ashtu siç premtoi, a arriti kryetari i PS-së të bashkojë gjithë të majtët?” - shprehet Sherifi, i cili megjithëse ka vërejtje ndaj kryetarit, thotë se zgjedhjen e tij e ka bërë. Sipas tij, në politikë nuk ka eksperimente si ai i rastit të largimit të Metës nga PS-ja. Ai shton se për pasojë të asaj përplasjeje, e majta u largua nga pushteti dhe çdo shkëputje nga koalicioni do ta dobësojë opozitën aktuale. Në krahun tjetër, edhe Petrit Vasili në një konferencë për shtyp dje, përjashtoi mundësinë e bashkëpunimit me Fatos Nanon. “LSI-ja deklaron se lëvizja jonë parimore për votën e lirë s’ka asnjë lidhje me qëllimet e ngushta të Fatos Nanos, i cili mban po aq përgjegjësi sa lidershipi aktual i PS-së për situatën konfliktuale brenda së majtës”, - deklaroi ai. Vasili shprehu keqardhje që, sipas tij, Rama u fut në llogoren e politikës së vjetër dhe destruktive Nano-Berisha. Por për Erion Braçen, qëllimi i vërtetë i largimit të LSI-së është karrigia e kryeministrit dhe jo interesat e elektoratit. “Dëshira jonë e madhe është që lidershipi i kësaj partie të vërë interesat e shqiptarëve, të njerëzve, veçanërisht njerëzve në nevojë, që vuajnë sot në Shqipëri mbi interesat e karriges së kryeministrit”, - deklaroi Braçe. Ai ndërkaq theksoi se efekti i listave të hapura që kërkon LSI-ja, është përbërja e sotme e Kuvendit, ku siç veçoi ai, ka 13 policë e drejtorë burgjesh dhe vetëm 10 gra. Më tej, Braçe u bëri thirrje partive të majta që të përqendrohen tek lufta kundër mazhorancës dhe të mos harxhojnë energji për debate që kujtojnë të shkuarën. Në fakt, gjatë konferencës së tij për shtyp, ai u përqendrua tek kundërshtia ndaj rritjes së çmimit të energjisë dhe vendimet e ERE-së. saqellari@korrieri.com

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›