E Shtunë, 31 Tetor 2026

Depresioni, vetëvaret sanitarja e spitalit

Mire Llani, 46-vjeç, e divorcuar dhe me dy fëmijë humbi jetën nga varja në litar, në banesën e saj
Durrës- Gjendja e rënduar psikike pas divorcit, varfëria dhe humbja e nënës kanë detyruar një 46-vjeçare t'i japë fund jetës. Gruaja, nënë e dy fëmijëve të rritur, duket se nuk e ka përballuar dot më jetën dhe ka vendosur të varet në litar, për t'u larguar nga jeta. Ngjarja ndodhi në qytetin e Durrësit, ku Mire Llani, që punonte si sanitare në spitalin rajonal është gjetur pa jetë në banesën e saj. "Gruaja banonte në lagjen nr.18 të Durrësit dhe është gjetur pa jetë në shtëpinë e saj, e varur në litar",- thonë burimet policore, që bëjnë me dije lajmin. Mësohet se ajo është dërguar me urgjencë në spitalin e Durrësit, por sipas mjekëve që e kanë pritur gjithçka ka qenë e kotë. "Megjithëse është ndërhyrë menjëherë për ta sjellë në jetë gruan, nuk është arritur të shpëtohet",- thonë burime nga spitali, sipas të cilave gruaja nuk kishte shenja jete në momentin që ka mbërritur. Sipas burimeve nga urgjenca e spitalit,46-vjeçarja kishte vdekur si rezultat i varjes në litar, veprim i cili është kryer në kushtet e tronditjes së thellë. Burime pranë pallatit ku banonte gruaja, bëjnë me dije se ajo ishte e divorcuar nga bashkëshorti, ndërkohë që nga martesa kishte dy fëmijë. "Ka një djalë dhe një vajzë në moshë madhore",- thonë fqinjët. Sipas burimeve nga spitali, vend ku ajo punonte prej kohësh, gjendja e 46-vjeçares është rënduar para një viti, kohë në të cilën asaj i ka vdekur e ëma. Kolegete saj në spital janë shprehur se kohët e fundit, Mire Llani jetonte në varfëri dhe problemet e saj ishin shtuar së tepërmi edhe pas divorcit.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›