E Shtunë, 31 Tetor 2026

Puke, terrorizon banorët me armë, kapet i riu

Rreth orës 22:00, një 30 vjecar nga fshati Gjegjan i Pukës ka marrë armën në banesën e tij dhe ka filluar të qëllojë në ajër për disa minuta. Krismat e armës kanë përfshirë në panik banorët 

PUKË - Mbrëmjen e së enjtes, efektivat e Komisariatit të Policisë së Pukës arrestuan një 30-vjeçar, i cili terrorizoi banorët e fshatit me armë. Rreth orës 22:00, Martin Ndou, nga fshati Gjegjan i këtij rrethi ka marrë armën në banesën e tij dhe ka filluar të qëllojë në ajër për disa minuta. Krismat e armës kanë përfshirë në panik banorët, të cilët kanë sinjalizuar uniformat blu. Grupet e gatshme të Komisariatit të Pukës kanë mbërritur me shpejtësi në vendngjarje dhe kanë vënë në pranga autorin e krimit. Gjatë marrjes në pyetje, 30-vjeçari Ndou është shprehur se qëlloi me armë në ajër, thjesht për të frikësuar fqinjin e tij me të cilin ishte konfliktuar pak kohë më parë. Ai ka deklaruar se nuk kishte asgjë me banorët e tjerë të fshatit". I riu është dërguar në qelitë e paraburgimit. Ai akuzohet për "armëmbajtje pa leje" si dhe për "prishje të rendit e të qetësisë publike". Pritet që Gjykata e Shkallës së Parë e Pukës të vendosë masën e sigurisë në ngarkim të Martin Ndout.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›