E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kasat, përfundon afati për rimburësimin

Të gjithë ata që do të blejnë kasë, pas ditës së sotme nuk do të përfitojnë rimburësim për shkak se, afati ligjor për këtë qëllim përfundoi. Kasat fiskale duhet të blihen në shoqëritë e autorizuara nga Ministria e Financave dhe sipas kontratës përkatëse, biznesit do t'u rimbursohet kjo pagesë deri në shumën 44 mijë lekë, pa TVSH. Rimbursimi, parashikohet nga një vendim i posaçëm, marrë në mbledhjen e fundit të qeverisë vitin e kaluar. Ndërkohë që bizneset që gjenden pa kasë do të gjobiten nga 1 milionë lekë gjobë, deri në bllokim të aktivitetit. Tregtarët e zonës tregtare të Medresesë në Tiranë janë shprehur se vendosja e kasave fiskale, në vend që të ndihmojë për implementimin e një konkurrence normale, në fakt po ndikon në falimentimin e tyre. Ata thonë që shumë prej tyre kanë blerë pajisjet përkatëse fiskale regjistruese, me paratë e tyre, por shprehen se nuk kanë marrë ende asnjë lloj kompensimi apo subvencionimi, që u është premtuar në nivel qeverie. Nga ana tjetër, nuk mungojnë edhe ata tregtarë të biznesit të vogël, të cilët nuk i kanë vendosur kasat fiskale dhe deklarojnë se nuk do të pajisen me to, pasi e kanë të pamundur që t'i blejnë, në kushtet e mungesës së parave "cash" në kohë krize. Burime nga Drejtoria Rajonale Tatimore në Durrës kanë bërë të ditur se, nga 6000 subjekte në total me tvsh, vetëm 4700 kanë blerë dhe instaluar kasën fiskale, ndërsa pjesa tjetër nuk e ka kryer detyrimin që përcakton ligji. Zëdhënësja e kësaj drejtorie, Ledia Kokalari, është shprehur se janë 1300 subjekte që nuk e kanë vendosur kasën fiskale dhe për to pritet penalizimi i tyre sipas ligjit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›