E Diel, 1 Nëntor 2026

Punësim pedagogëve që kanë mbaruar jashtë

09/04/2010 Universiteti i Tiranës

Personat që kanë mbaruar studimet e doktoraturës jashtë vendit mund të bëhen pjesë e stafeve akademike në universitetet shqiptare, pa u dashur të kalojnë në procedura të njëpasnjëshme përzgjedhjeje. Gjatë ditës së djeshme janë nënshkruar kontratat e punësimit të menjëhershëm për tre të doktoruar në universitetet perëndimore. Në një ceremoni të zhvilluar gjatë ditës së djeshme, rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, ka zyrtarizuar nënshkrimin e kontratave të punës për tre të doktoruar në universitetet perëndimore, pa kaluar procedura të mëtejshme. Rektori Kule deklaroi se kjo është një shenjë e mbështetjes që i jep UT-ja ekselencës së re, teksa pritet të ndikojë në rritjen e cilësisë akademike. "Tre kolegët e rinj, që tashmë janë pjesë e Universitetit të Tiranës, kanë treguar aftësi të veçanta akademike. Ata kanë përfunduar studimet në universitete prestigjioze të huaja, prej nga kanë marrë edhe PHD. Për këtë arsye, unë kam vendosur, në shenjë mbështetjeje për ekselencën shqiptare, punësimin e tyre të menjëhershëm dhe pa procedura të mëtejshme në stafin pedagogjik të këtij universiteti", është shprehur Kule. Mbështetje për tre pedagogët e rinj shprehën edhe përgjegjësit e departamenteve të Kirurgjisë, të Drejtës Penale dhe Sëmundjeve të Zemrës, ku do të punojnë tre doktorët. Doktorët e sapoemëruar në radhët e Universitetit të Tiranës janë Arvin Dibra, Alban Dibra dhe Sokol Mëngjesi. Arvin Dibra ka përfunduar studimet universitare në universitetin "La Sapienza" të Romës dhe ka mbrojtur doktoraturën në universitetin "Tor Vergata" në Itali për kirurgji. Alban Dibra ka përfunduar studimet në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Tiranës dhe më pas ka përfunduar studimet pasuniversitare në Qendrën Kombëtare të Kërkimeve në Piza, në Itali. Sokol Mëngjesi ka përfunduar studimet universitare, pasuniversitare dhe doktoraturën në universitetin “Demokritus” të Trakës në Greqi. Aktiviteti u zhvillua në rektoratin e Universitetit të Tiranës, në prani të drejtuesve të departamenteve të Mjekësisë dhe Drejtësisë, ku do të punojnë tre pedagogët e rinj të UT-së, si edhe në praninë e pedagogëve të tjerë të këtyre institucioneve.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›