E Diel, 1 Nëntor 2026

Punësimet në shtet, konkurset bëhen kot, fitojnë kandidatët e paracaktuar

Share

Konkurset e organizuara nga institucionet shtetërore janë fiktive dhe sa për sy e faqe, për të qenë në rregull me ligjet. Kjo, pasi vendin e punës e merr në pjesën dërrmuese të rasteve një person, i cili ka qenë më parë në marrëdhënie pune nëpërmjet një kontrate të përkohshme duke spostuar të gjithë kandidatët e tjerë që kanë marrë pjesë në garë.

Ja se çshkruhet në raportin e Komisionit të Shërbimit Civil të dorëzuar këto ditë në Kuvend: Konstatohet se në të gjitha konkurrimet e zhvilluara kanë fituar punonjësit, të cilët kanë qenë të emëruar nëpërmjet kontratave si dhe duke kryer efektivisht detyrat e këtij pozicioni edhe gjatë kryerjes së procedurës së konkurrimit. Shembulli tipik janë Ministria e Mjedisit dhe Ministria e Mbrojtjes. Në Ministrinë e Mbrojtjes, gjatë këtij viti janë zhvilluar 46 konkurrime, ku kanë fituar ata që kanë qenë më parë në marrëdhënie pune kontraktuale me pozicionin. Po kështu, edhe në 17 raste në Ministrinë e Mjedisit, – vijon raporti.

Fakti që konkurset bëhen fiktive ka bërë që qytetarët të humbin besimin tek to duke mos marrë pjesë. Ja si vijon raporti: Kjo ka sjellë humbjen e besimit të fuqisë së lirë të punës, duke u shfaqur kjo në formën e humbjes së interesit e mospjesëmarrjes në konkurrime në rastet e shpallura e për pasojë kandidatë jo cilësorë. Personat e interesuar e konsiderojnë të kotë pjesëmarrjen në konkurrim, pasi ai kryhet vetëm si procedurë që të ligjërohet mbajtja në punë e personit të marrë me parë me kontratë. Të trija këto citime pasqyrojnë plotësisht atë çka është duke ngjarë me administratën, ku konkurset bëhen fiktive dhe gjithnjë fiton një kandidat i paracaktuar.

respublica.al

http://respublica.al/artikuj/2012/2/28/punesimet-ne-shtet-konkurset-behen-kot-fitojne-kandidatet-e-paracaktuar

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›