Punësimi i rregullt, 1 mijë shqiptarë të trajnuar drejt Italisë
Rreth 1 mijë shqiptarëve të papunë, që janë trajnuar në qendrat e formimit profesional në vend, do t’u jepet shansi që të punësohen këtë vit në Itali. Lajmi bëhet i ditur nga burime zyrtare të Ministrisë së Punës, të cilat sqarojnë se gati 1 mijë shtetas shqiptarë brenda vendit janë në listë pritjeje, për t’u punësuar gjatë këtij viti në Itali, në bazë të marrëveshjes së rregullt të punësimit, që qeveria shqiptare dhe ajo italiane kanë firmosur që në vitin 2008. Burime zyrtare nga Ministria e Punës sqarojnë se pas shpalljes së kuotave të punësimit nga shteti italian, më 31 janar të këtij viti, pritet që një përfaqësi e Ministrisë së Punës së Italisë të mbërrijë në Shqipëri për të diskutuar mbi mundësinë e dërgimit në Itali të një kontigjenti prej 1 mijë punëtorësh të trajnuar në qendrat e formimit profesional. Sipas këtyre burimeve, takimi me palën italiane ishte menduar të zhvillohej në ditët e para të muajit shkurt, por ngjarjet e fundit politike kanë shtyrë dhe takimin e caktuar. Drejtoresha e Drejtorisë së Emigracionit në Ministrinë e Punës, Silvana Banushi, shpjegon se pas një shpërndarjeje të kuotës totale prej 4500 kuota për punësim sezonal, që është bërë për shqiptarët të cilët kanë aplikuar në Itali, është menduar që të përfitojnë dhe 1 mijë të papunë, të regjistruar në zyrat rajonale të punësimit në të gjithë vendin, të cilët janë trajnuar për profesione të ndryshme, sipas kërkesës së tregut të punës në Itali. Por, fluksi i kërkesave të paraqitura për shqiptarët që duan të punësohen në Itali, nëpërmjet programit për vitin 2010, paraqitet të jetë tepër i lartë, krahasuar me kuotat e aprovuara për vendin tonë. Kështu, vetëm ditën e parë të pranimit të kërkesave online, në faqen zyrtare të Ministrisë së Brendshme Italiane (31 janar 2011) janë regjistruar më shumë se 9505 kërkesa për punësim. Praktikisht, krahinave e provincave ku janë paraqitur më shumë kërkesa, u janë dhënë më shumë kuota. Kështu, nga 4500 kuotat e shqiptarëve paraprakisht janë ndarë vetëm 1698: 318 në Lombardi, 263 në Reggio Emilia, 228 në Toskanë, 116 në Liguria, 96 në Lacio e kështu me radhë. Autoritetet italiane sqarojnë se ndarja paraprake është bërë duke mbajtur parasysh numrin e kërkesave të paraqitura më 31 dhjetor: praktikisht krahinave e provincave ku janë paraqitur më shumë kërkesa u janë dhënë më shumë kuota. Pjesa tjetër e kuotave do të shpërndahet në nivel lokal brenda shkurtit, pasi të merret edhe mendimi i enteve lokale. Sipas të dhënave të raportuara nga Ministria e Brendshme italiane, në datën 31 janar, që ishte edhe dita e aplikimit për punësim, deri në orën 18:00 janë paraqitur telematikisht 303 252 kërkesa për një kuotë të flukseve 2010. Kuotat në dispozicion për këtë ditë të parë janë ato për kombësitë me përparësi, mes të cilave edhe shqiptarët, gjithsej 52 080.
Si gjithnjë, edhe këtë herë numri i kërkesave është disa herë më i lartë se numri i kuotave të vëna në dispozicion nga dekreti për të gjitha etnitë. Edhe këtë herë, do të përfitojnë një kuotë më të shpejtët, kush ka arritur të nisë kërkesën vërtet minutat e para të vlefshme. Ndoshta për shqiptarët, mundësia e përfitimit të një kuote mund të jetë e lartë, edhe për ata që kanë dërguar kërkesën gjatë dy orëve të para, pasi kërkesat e përgjithshme për ta janë diçka më shumë se dyfishi i kuotave.