E Diel, 1 Nëntor 2026

Bilanci i bankave, depozitat i kanë individët, kreditë i merr biznesi

SHKRUAN: Blerina Hoxha 22-02-2011 10:33

Viti 2010 shënon një përmirësim të dukshëm të sistemit bankar, sidomos për sa i përket rikthimit të depozitave në sistem dhe për rrjedhojë edhe të rikuperimit të dukshëm të normës së fitimit. Ajo që vazhdon të jetë një shqetësim i ndjeshëm për bankat, në vendin tonë, është rritja e vazhdueshme të kredive të këqija

Depozitat

Totali i depozitave në banka, në fund të vitit 2010, arriti në 816 miliardë lekë, sipas të dhënave të paudituata nga Shoqata e Bankave. Nga kjo shumë, pjesën më të madhe, ose rreth 700 miliardë lekë, janë depozita që zotërohen nga individët dhe vetëm 124 miliardë lekë janë depozita që zotërohen nga biznesi. Depozitat në sistemin bankar gjatë këtij viti janë rritur me ritmet 15 për qind, duke shënuar një stabilitet pas pasojave të krizës financiare ndërkombëtare të vitit 2008. Sipas panoramës që vetë bankat japin, nëpërmjet shoqatës së tyre, mësohet se më shumë se 80 për qind e depozitave në sistem i disponojnë individët dhe pjesën tjetër korporatat. Si rezultat i kësaj situate, treguesi i parasë jashtë bankave ka rezultuar me rënie të vazhdueshme. Forcimi i besimit në sistemin bankar, si dhe aktiviteti i ulët ndërmjetësues ndaj sektorit publik në fundin e periudhës janë faktorët kryesorë që kanë ndikuar në kërkesën e ulët për mjete monetare likuide. Në dy muajt e fundit të vitit 2010 është shënuar një rritje mujore e depozitave përtej mesatares mujore historike, e ndikuar kryesisht nga qarkullimi më i shpejtë i parasë, në sajë të rritjes së vëllimit të kredidhënies së sektorit bankar për ekonominë. Në përputhje me këto zhvillime, vrojtimet e Bankës së Shqipërisë pranë konsumatorit tregojnë për një tendencë në rritje të kursimeve në ekonomi.

Kreditë

Kredia që bankat kanë dhënë për ekonominë në fund të vitit 2010 shënoi 490 miliardë lekë, nga të cilat 343 miliardë lekë i ka marrë biznesi dhe pjesën tjetër, 147 miliardë lekë, i kanë marrë individët. Këtu shohim një përmbysje të raporteve kredi, depozita, po të kemi parasysh se burimi i financimit të sistemit bankar mbetën individët, ndërsa përfituesit më të mëdhenj janë bizneset. Kjo diferencë, ndërmjet financimit dhe përfitimit, është theksuar edhe më shumë gjatë vitit që shkoi, pasi bankat shtrënguan kredidhënien për individët, ndërsa preferuan të kreditojnë biznesin. Në dy muajt e fundit të vitit, kredia për ekonominë njohu një zgjerim të madh. Nga 2 miliardë lekë që ishin dhënë kredi gjatë vitit 2010, në muajt nëntor dhe dhjetor, u dhanë më shumë se 21 miliardë lekë kredi.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›