E Shtunë, 31 Tetor 2026

Punësimi në Arsim, mësuesit duhet të jenë të licencuar



Jonida Tashi

Sikur të mos u mjaftonte diploma e shkollës së lartë dhe vitet e punës në arsim që mbajnë mbi supe, së shpejti mësuesve në vendin tonë do t’u duhet të jenë edhe të licencuar. Tashmë, Ministria e Arsimit e ka gati draftin për reformën e sistemit të zhvillimit profesional të mësuesve, i cili duhet vetëm të miratohet nga qeveria për të nisur zbatimin në praktikë. Përveç ndryshimit të skemës së kualifikimit në arsim, që nuk do të jetë më me shkallë, por me tituj, në draftin e ri është përfshirë edhe strategjia e zhvillimit profesional të mësuesve dhe drejtuesve të shkollës. Në këtë strategji janë përcaktuar të gjitha detajet për skemën e re të kualifikimit të arsimtarëve, si dhe si do të kryhet licencimi i tyre.
Mësuesit
Specialistët e Institutit të Kurrikulës dhe Trajnimit (IKT), që janë marrë me hartimin e draftit të ri për kualifikimin e arsimtarëve, sqarojnë se kërkimet kanë dëshmuar një lidhje të fortë midis mënyrës si asistohen mësuesit herët në karrierën e tyre dhe shansit për të përparuar deri në nivele të larta të kompetencës. Për këtë arsye propozohet periudha e licencimit të tyre. Sipas argumentimit të specialistëve të IKT-së, megjithëse profesioni i mësuesit ka për parakusht një diplomë të shkollës së lartë, që është e nevojshme për t’u punësuar në arsim, ajo nuk është e mjaftueshme për ushtrimin e profesionit të mësuesit. Në këto kushte, sipas tyre, pasuniversitarit kandidat për mësues do t’i duhet të ushtrohet në profesion për një periudhë të caktuar kohe dhe pasi të plotësojë standardin e mësuesit, do të fitojë të drejtën të ushtrojë profesionin, duke marrë licencën e mësuesit. Periudha e licencimit ka një numër minimum vitesh shkollore (një vit) dhe një numër maksimum vitesh shkollore (katër vjet). Nëse mësuesi fillestar nuk aplikon për katër vjet rresht për titullin “Mësues”, ai e humbet të drejtën e ushtrimit të profesionit të mësuesit. Ndërsa përsa i përket pagës së mësuesve fillestarë, parashikohet që ajo të jetë shumë afër atij të mësuesit të shkallës pasuese të karrierës, në mënyrë që të mos defavorizohet mësuesi fillestar. Sakaq, gjatë periudhës së licencimit, mësuesi fillestar do të ndihmohet nga një mësues i një shkalle më të lartë të karrierës (mentori).
Drejtorët
Reforma për sistemin e kualifikimit në arsim ka përcaktuar një sërë ndryshimesh edhe për drejtuesit e shkollave, të cilët, ndryshe nga praktika e ndjekur deri sot, sikurse mësuesit, duhet të jenë të licencuar për të ushtruar këtë funksion. Sipas draftit të Ministrisë së Arsimit, e drejta për të ushtruar detyrën e drejtuesit të shkollës do të sigurohet përmes një licence të njohur nga MASH-i. Sakaq, për të siguruar licencën do të merren parasysh disa kritere, si: karriera e drejtuesit të shkollës; drejtuesi i shkollës duhet të ketë diplomën e Mësuesit; drejtori i shkollës duhet të kalojë nëpër këto shkallë të karrierës: mësues, nëndrejtor, drejtor; drejtori i shkollës duhet të ketë qenë më parë nëndrejtor shkolle. Po ashtu, për të marrë licencën për drejtues shkolle, kandidati për drejtues duhet të kalojë në trajnime pa shkëputje nga puna. Këto trajnime do të realizohen në trajtën e moduleve dhe synojnë përvetësimin e njohurive teorike dhe zotërimin e shprehive praktike. Pas përfundimit të trajnimeve, kandidati për drejtues shkolle duhet t’u nënshtrohet provimeve për secilin modul dhe një provimi përfundimtar. Në këto provime pjesëmarrësi duhet të grumbullojë një numër minimal pikësh (kreditesh) për secilin modul dhe pikë të tjera në provimin përfundimtar. Provimet për modulet do të kryhen nga agjencitë përkatëse trajnuese. Provimi përfundimtar do të jetë i jashtëm dhe do të administrohet nga Instituti i Kurrikulës dhe Trajnimit (IKT). Sigurimi i pikëve i jep kandidatit licencën e nëndrejtorit të shkollës.
Licenca
Licenca e drejtorit të shkollës do të jepet pas marrjes së licencës së nëndrejtorit dhe pas të paktën një viti shkollor praktikë profesionale si nëndrejtor. Licenca e drejtuesit do të ketë vlerë për 8 vjet. Për ta përtërirë licencën, personi i licencuar është i detyruar të marrë pjesë në një numër të caktuar seancash trajnuese. Kandidati për drejtues shkolle duhet të plotësojë fillimisht paketën e tij profesionale, si kusht paraprak për t’u pranuar në veprimtaritë për marrjen e licencës. Paketa përmban dëshmi zyrtare, si: CV-në e tij, vlerësimet zyrtare si mësues, poste profesionale si kryetar i ekipit lëndor, etj; fitime projektesh qeveritare ose joqeveritare; çmime në konkurse si mësues, anëtarësime në organizata profesionale brenda ose jashtë vendit etj. Pas drejtuesve të shkollave, reforma do të zbresë edhe një hap më poshtë për të “kapur” edhe nëndrejtorët. Kështu, në shkollat, që sipas normativës së tanishme kanë nëndrejtor, drejtori do të çlirohet nga mësimdhënia, kurse njëri nëndrejtor, krahas mësimdhënies, do të kryejë edhe rolin e nëndrejtorit pedagogjik. Nëndrejtori pedagogjik ka përgjegjësinë për zhvillimin profesional të personelit shkollor.
Një tjetër zhvillim që pritet të ndodhë në arsimin parauniversitar është ngritja e Ekipit Lëndor për çdo shkollë. Ekipi Lëndor është një njësi profesionale në nivel shkolle, i cili ngrihet me bazë cikli të ulët ose lënde për ciklet e tjera të arsimit parauniversitar. Ai ka për mision të organizojë shkëmbimin e përvojave profesionale në mes anëtarëve të tij. Përveç mbledhjeve periodike të ekipeve lëndore, plani vjetor i shkollës parashikon edhe mbledhje periodike të dy a më shumë ekipeve (si ndërmjet lëndëve të afërta, p.sh. ekipi i Matematikës dhe i Fizikës, ashtu edhe ndërmjet ekipeve të cikleve, p.sh. i ciklit të ulët dhe i Matematikës së ciklit të lartë, ose ndërmjet ekipeve të rrjetit të shkollave).

Urdhri i Mësuesit, institucioni që do të regjistrojë arsimtarët
Ndonëse deri sot nuk ka ekzistuar një institucion për të mbrojtur figurën e mësuesit, në draftin e ri Ministria e Arsimit ka parashikuar ngritjen e Urdhrit të Mësuesit. Në këtë Urdhër do të jenë të regjistruar të gjithë personat që kanë titullin “Mësues”. Vetëm mësuesit e regjistruar në këtë Urdhër kanë të drejtë të aplikojnë për tituj të karrierës dhe role profesionale. Anëtari i Urdhrit të Mësuesit firmos Kodin Etik të Urdhrit. Ky kod përcakton standardin etik të mësuesit ndaj nxënësve dhe përmban rregulla, të cilat kanë të bëjnë me keqtrajtimin e nxënësve. Urdhri i Mësuesit lehtëson mbrojtjen juridike të një mësuesi kur pretendon t’i jetë cenuar figura e tij si punonjës ose është shkelur ligjshmëria ndaj tij si punonjës. Komiteti Drejtues i Urdhrit mundet t’i heqë mësuesit të drejtën e ushtrimit të profesionit ose ta pezullojë atë dhe vetëm ai ka të drejtë t’i ulë një mësuesi shkallën e titullit të karrierës përfundimisht ose përkohësisht.

Shkallët e karrierës së mësuesit
Shkallët e njëpasnjëshme të karrierës së mësuesit do të jenë:
“Mësues fillestar” (sapo ka marrë diplomën universitare të Mësuesisë)
“Mësues” ose “Mësues i licencuar”
“Mësues specialist”
“Mësues mjeshtër”

Mosha për shkallët e kualifikimit
Ishte nga 24-49 vjeç
Bëhet nga 24-40 vjeç

Shkallët e kualifikimit
Ishte 5 deri në 9 vjet punë për të marrë shkallën e tretë të kualifikimit
Bëhet 1-4 vjet pune për mësuesit fillestarë për të aplikuar titullin “Mësues”
Ishte 10 deri në 19 vjet punë për të kaluar në shkallën e dytë të kualifikimit
Bëhet 5 vjet është intervali minimal kohor ndërmjet titujve “Mësues” dhe “Mësues specialist”
Ishte mbi 20 vjet punë në arsim për të siguruar shkallën e parë të kualifikimit
Bëhet 10 vjet është intervali kohor “Mësues specialist” dhe “Mësues mjeshtër”

Karriera e drejtuesit të shkollës
Drejtuesi i shkollës duhet të ketë diplomën e Mësuesit.
Drejtori i shkollës kalon nëpër këto shkallë të karrierës:
Mësues
Nëndrejtor
Drejtor
Sigurimi i licencës për drejtues shkolle
Kandidati për drejtues kalon në trajnime pa shkëputje nga puna për të marrë licencën e drejtuesit
Sigurimi i pikëve i jep kandidatit licencën e nëndrejtorit të shkollës
Licenca e drejtorit të shkollës jepet pas marrjes së licencës së nëndrejtorit dhe pas të paktën një viti shkollor praktikë profesionale si nëndrejtor
Licenca e drejtuesit ka vlerë për 8 vjet
Për ta përtërirë licencën, personi i licencuar është i detyruar të marrë pjesë në një numër të caktuar seancash trajnuese

11 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›