E Diel, 1 Nëntor 2026

Punësimi, taksat që hiqen për bizneset

20/12/2011  Eliminim i të gjitha taksave e tarifave vendore për bizneset e reja që punësojnë 50 të papunë

Uljen me 30% të taksës së ndikimit në infrastrukturë për kompanitë që punësojnë mbi 75 qytetarë

Subjektet e biznesit që do të ndihmojnë në hapjen e vendeve të reja të punës do të përfitojnë lehtësira të shumta fiskale sipas përcaktimeve tashmë të detajuara edhe në buxhetin e ri të Tiranës për vitin 2012. Konkretisht bëhet me dije se bizneset e reja që do të sigurojnë punësimin për një numër të konsiderueshëm të papunësh, do të përjashtohen nga taksat dhe tarifat vendore për një hark kohor prej katër vjetësh. Ndërsa kompanitë e mëdha do të përfitojnë lehtësi të tjera, siç është eliminimi deri në 30 për qind i taksës së ndikimit në infrastrukturë. Duke diskutuar risitë e buxhetit me banorët e njësisë bashkiake nr. 2 në kryeqytet, kryetari Lulzim Basha ka deklaruar se në mbledhjen e këshillit bashkiak do të propozohen lehtësi fiskale për bizneset dhe kompanitë që hapin vende të reja pune: “Në mbledhjen e ardhshme përveç buxhetit do t’i propozoj këshillit bashkiak edhe eliminimin e të gjitha taksave dhe tarifave vendore për të gjithë bizneset e reja që punësojnë 50 apo më shumë qytetarë të Tiranës nga lista e të papunëve në zyrën e punës në Tiranë, si dhe uljen me 30% të taksës së ndikimit në infrastrukturë për të gjitha sipërmarrjet që punësojnë mbi 75 qytetarë të Tiranës dhe që i punësojnë ata rishtasi, siç mund të evidentohet nga lista e të papunëve në zyrën e punës në Bashki”, - ka deklaruar Basha. Lidhur me shqetësimet e ngritura nga qytetarët mbi ndërhyrjet infrastrukturore në këtë zonë Basha ka shtuar se vetëm në këtë njësi parashikohet ndërtimi dhe rikonstruksioni i 5 artereve kryesore, siç është rruga “Petro Nini Luarasi”, rruga “Arben Broci”, rruga “Bajram Allaraj” si dhe rikonstruksioni i rrugës “28 Nëntori” dhe projekti i rikualifikimit urban për sheshin te Pazari i Ri dhe sheshin “Avni Rustemi”. Banorët e kësaj zone i kanë kërkuar kryebashkiakut të parashikojë në investimet e këtij viti edhe rrugën “Gramoz Pashko”, kërkesë e cila është aprovuar. Sa u takon investimeve në infrastrukturën arsimore, konfirmohet se ato do të zënë një vend të veçantë në buxhet, ku është parashikuar ndërtimi i 4 shkollave të reja 9-vjeçare, ndërtimi i 2 shkollave të reja të mesme, ngritja e 3 kopshteve e 2 çerdheve të reja, si dhe rikostruksioni i 16 të tjerave. Buxheti do të vijojë ofrimin e bonuseve financiare për nxënësit e shkëlqyer, si dhe mundësinë e ndjekjes së shkollave verore. Vëmendje të veçantë Bashkia i ka kushtuar edhe mbështetjes me fonde të politikave të saj sociale, ku parashikohet ngritja e 6 qendrave të reja sociale, përmirësimi i kushteve në qendrat ekzistuese, bonusi i qirasë për familjet në nevojë, programi i integrimit të të pastrehëve si dhe nisja e funksionimit të banesave sociale, lehtësira fiskale për kategoritë në nevojë, pensionistët dhe veteranët etj.

Heqja e taksave

Dy janë projektet e reja që do t’i paraqiten këshillit bashkiak për miratim gjatë javës së ardhshme. E para ka të bëjë me sipërmarrjet e vogla dhe të mesme, të cilat do të përjashtohen për 4 vjet nga detyrimet vendore sa u takon taksave dhe tarifave me kushtin që të punësojnë të paktën 50 punonjës. Ndërsa vendimi i dytë ka të bëjë me kompanitë dhe sipërmarrjet e mëdha, për të cilat është vendosur rimbursimi i pjesshëm apo dhe i plotë i të gjitha taksave që mblidhen nga pushteti vendor

Rrugët e strehimi

Në projektbuxhet janë parashikuar 100 ha rikualifikime urbane, ndërtimi i rreth 65 mijë metra katrorë rrugë, prej të cilave 33 mijë metra katrorë do të jenë rrugë tërësisht të reja. Po ashtu parashikohet rikonstruksioni i rreth 153 mijë metra katrorë rrugë ekzistuese dhe 79 mijë metra katrorë trotuare. Për kategoritë në nevojë është menduar ngritja e 6 qendrave të reja sociale, bonusi i qirasë për familjet në nevojë, programi i integrimit të pastrehëve, nisja e funksionimit të banesave sociale si dhe lehtësi fiskale për kategoritë në nevojë, pensionistët dhe veteranët

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›