E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS kërkesë llogarie ministrit Naço për ACR-në

20/12/2011  Deputetët socialistë rikthejnë në skenë problemet në minierën e Bulqizës

Deputetët e Partisë Socialiste rikthejnë në vëmendje zhvillimet në minierën e Bulqizës. Pas grevës së minatorëve dhe marrëveshjes së tyre me kompaninë koncesionare “ACR”, socialistët evidentojnë se problemet dhe aferat korruptive me këtë minierë vijojnë të jenë prezente. Për këtë arsye ligjvënësit socialistë përmes një kërkese ka listuan 23 pyetje për ministrin e Ekonomisë Nasip Naço.

Nisma

“Edhe pse greva e minatorëve mori fund pak kohë më parë me një marrëveshje ndërmjet sindikatës dhe shoqërisë koncesionare “ACR”, duke u dhënë vetëm zgjidhje të përkohshme problemeve të vetë minatorëve, familjeve të tyre, qytetit dhe banorëve që jetojnë me galeritë e minierës, fakte të njëpasnjëshme më kokëfortë sesa justifikimet politike tuajat, të Kryeministrit e të qeverisë, na lënë të kuptojmë se zgjidhja përfundimtare është më larg se kurrë, siç është rreziku fatal më afër se ndonjëherë më parë”, - ky është konstatimi i deputetëve të PS-së lidhur me këtë çështje. Megjithatë, socialistët shprehen të bindur se “pavarësisht presioneve mafioze e korruptive të njëpasnjëshme ndaj nesh, qoftë nëpërmjet botës së errët të krimit a qoftë nëpërmjet padish gjyqësore të stisura në kazanin e korrupsionit në qeveri e gjyqësor, do t’u shkojnë deri në fund kërkesave të tyre”.

Kërkesat

Ndërkohë, duke synuar zbardhjen e situatës reale në këtë minierë, socialistët kërkojnë informacion të detajuar e të plotë për një sërë çështjesh. “Sa janë minatorët që kanë humbur jetën në galeritë e minierave nga viti 2000 deri sot? Cila është pozita ligjore e kompanisë “ACR” në raport me shtetin shqiptar? Cili është kontraktori i vërtetë? Vazhdon “Darfo” me nënkontraktor ACR-në apo është ACR-ja që zëvendëson “Darfon” me ndryshim emri? “Darfo” “SRL” dhe “Darfo SPA” janë e njëjta kompani apo dy të ndryshme? Cili është aktiviteti ekonomik i ACR-së nga viti 2000, kur është regjistruar për herë të parë si person juridik deri në vitin 2007, kur filloi biznesin e mineralit në Bulqizë?” – thuhet në kërkesën e PS-së për ministrin Naço. Po kështu socialistët kërkojnë të dinë se “bazuar në marrëveshjen koncesionare të miratuar në parlament 10 vjet më parë, sa është totali i investimeve të realizuara nga koncesionari për secilin nga zërat e marrëveshjes? A ka filluar të hapet zona veriore e minierës së kromit në Bulqizë? Sa është avancuar drejt thellësisë dhe kur përfundon hapja e saj? METE dhe ju si ministër i METE-së i njihni vlerë ligjore dhe detyruese marrëveshjes së nënshkruar më 9 korrik 2009 ndërmjet ministrit Ruli dhe ACR-së, marrëveshje që modifikonte marrëdhënien koncesionare, por që ende sot e kësaj dite nuk është miratuar në parlament, siç e kërkon ligji?” Po kështu PS-ja kërkon informacion se “cili është arsyetimi institucional bazuar në Kushtetutën e RSH-së dhe legjislacionin në fuqi, sipas të cilit kjo marrëveshje, edhe pse e pamiratuar në Kuvend, ka fuqi ligjore?

Sa është fitimi i deklaruar i koncesionarit kryesor në Bulqizë? Sa serioz është rreziku që Bulqiza të shkatërrohet për shkak të mungesës së plotë të investimeve kapitale?

PS për METE

“Kërkojmë të na vihet në dispozicion i gjithë komunikimi ndërmjet kompanisë koncesionare “Dedeman” dhe METE-së, në mënyrë specifike shkresat me nr. prot. 1742/3, dt. 20.04.2011 dhe 25.04.2011, si dhe urdhrat si ministër nëpërmjet të cilave keni urdhëruar ndalimin e punës në minierë e më pas fillimin e punës në të.”

Konstatimi i socialistëve

“Galeritë e minierave janë shndëruar në kampet e përqendrimit të kohëve moderne, ku varfëria mban peng vetë jetën dhe lirinë e minatorëve, ndërkohë që pushtetarë e biznesmenë të babëzitur nxjerrin miliona euro përfitime me çmimin e lirë të lëkurës së minatorëve skllevër, që varfëria i detyron të punojnë e vdesin në galeritë e minierave.”

Çështjet gjyqësore

Përballja e kompanive private që operojnë në minierën e Bulqizës me gjyqësorin është një tjetër çështje që preket nga socialistët: “Sa është numri i çështjeve gjyqësore të përfunduara ndërmjet kompanive private dhe METE-së sa i përket shfrytëzimit të pasurive minerare dhe cili është përfundimi i tyre? Për çështjet gjyqësore të përfunduara në favor të kompanive private, sa është shuma e dëmshpërblimit të caktuar nga gjykata që duhet të paguajë shteti? Sa është numri i çështjeve gjyqësore në vazhdim ndërmjet kompanive private dhe METE sa i përket shfrytëzimit të pasurive minerare dhe cila është ecuria e tyre? Miniera e kromit në Bulqizë a është shpallur si minierë me regjim gazi? A garantohet jeta e punonjësve në këtë minierë duke punuar me pajisje që nuk plotësojnë kushtet e antideflagrancës?”

Pozicioni i Ministrisë

Në informacionin e kërkuar prej ministrit Naço socialistët shtrojnë kërkesën se “sa është numri total i subjekteve të liçensuara që shfrytëzojnë pasuritë minerare të Bulqizës? Sa është numri i subjekteve që punojnë pa asnjë liçensë? Afërsisht sa tonë mineral përbën tregu i mineraleve që eksportohet?” Gjithashtu PS-ja kërkon të dijë se “cilat janë kushtet e punës së minatorëve? Momentalisht a po punohet në ndonjë zonë që haptazi cilësohet si tejet e rrezikshme për jetën e minatorëve?” Po kështu informacion kërkohet dhe lidhur me sasinë e prodhimit të mineralit të kromit në minierën e Bulqizës. Duke shkuar më tej, socialistët kërkojnë të zbardhin se nga prodhimi i përgjithshëm i mineralit të kromit sa është shkrirë në uzinat e ferrokromit dhe sa është eksportuar direkt si mineral.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›