E Shtunë, 31 Tetor 2026

Muzeu i Pavarësisë pret qindra vizitorë

Me qindra shqiptarë nga Kosova dhe Maqedonia kanë vizituar këto ditë Muzeun Kombëtar të Pavarësisë, një prej objekteve kryesore në qytetin e Vlorës. Bëhet e ditur se në këto muaj është vizituar nga rreth 2000 shqiptarë nga Kosova, Maqedonia dhe turistë të huaj. Nga drejtuesit  e tij mësohet se gjatë këtyre muajve, ka pasur interesim në rritje të të rinjve dhe të rejave nga Kosova, të cilët, në axhendën e vizitave në Vlorë, kanë përfshirë Muzeun e Pavarësisë për tu njohur nga afër me historinë e përbashkët. Krahas tyre, dhjetëra shqiptarë të tjerë nga Maqedonia dhe turistë nga vende të ndryshme, mes të cilëve, Italia, Anglia, Holanda etj, shprehin interesim për këtë objekt muzeal. Historiku i godinës ku është vendosur ky muze si dhe përmbajtja dokumentare dhe pasuria e objekteve në mjediset e tij, vlerësohen mjaft nga vizitorët, ndaj dhe drejtoria e Muzeut Kombëtar të Pavarësisë në Vlorë po zbaton një strategji të detajuar për promovimin e vlerave dhe vënien e tij në funksion të zhvillimit të turizmit. Programi synon evidentimin e vlerave që ruhen në mjediset e muzeut dhe prezantimin e tyre edhe në internet, sikurse dhe botime me materiale muzeale, fletëpalosje të përmasave të ndryshme. Kjo strategji e nisur vjet, ka dhënë rezultatet, pasi në 2008, Muzeun Kombëtar të Shpalljes së Pavarësisë në Vlorë, e vizituan rreth 4200 persona, nga 3700 që ishte në vitin 2007. Godina dy-katëshe në afërsi të Portit, ku është vendosur Muzeu Kombëtar i Shpalljes së Pavarësisë në Vlorë është ndërtuar në shekullin XIX. Për rreth 6 muaj, në vitin 1913, ajo shërbeu si rezidencë për qeverinë e parë shqiptare të drejtuar nga Ismail Qemali.  

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›