PD e Tiranës, të hënën, Mustafaj: Nuk kam dijeni
Berisha vendos për konferencën e Tiranës në mesditë, pavarësisht se, pasdite, në të njëjtën ditë, zona e Mustafajt duhet të zgjidhte delegatët
TIRANË- Partia Demokratike e degës Tiranë do të zgjedhë kryetarin e saj ditën e hënë në mesditë. Kryesia e ngushtë e kësaj partie është mbledhur dje për të vendosur datën 18 maj për mbledhjen e konferencës së Tiranës.
Disa anëtarë të kryesisë së PD-së njoftuan dje për gazetën se nuk ishin në dijeni të një date të tillë. Burime nga PD-ja thanë se caktimi i datës është bërë vetëm nga kryesia e vogël e PD-së dhe se sot pritet që kryesia e "madhe" e kësaj partie të seleksionojë edhe kandidaturat që do të votohen ditën e hënë në mesditë.
I Kontaktuar dje nga gazeta "Shekulli", kandidati për PD-në e Tiranës, deputeti Besnik Mustafaj, deklaroi se nuk ishte në dijeni të mbledhjes së konferencës së Tiranës. "Nuk jam në dijeni të konferencës së Tiranës, por të konferencës së nëndegës ku unë jam deputet, asaj numër 8, në orën 18.00 të pasdites, ditën e hënë", - tha dje Mustafaj.
Në fakt, deklarata e deputetit demokrat Mustafaj, nxjerr një të vërtetë të madhe se në këtë parti pak respektohet zgjedhja e strukturave.
Më sa duket, kryetarin e PD-së, Sali Berisha, nuk e kanë vënë në dijeni se ka mbetur ende pa u zhvilluar konferenca e nëndegës numër 8, që për ironi të fatit është pikërisht e Besnik Mustafajit, kandidatit që ka shfaqur synimin për PD-në e Tiranës.
Data e konferencës së Tiranës tashmë është vendosur. Ajo do të jetë të hënën në orën 12.00 të mesditës, pavarësisht se nga mbledhja e nëndegës numër 8 do të zgjidheshin edhe delegatët për Kuvendin, vendi i të cilëve, me sa duket, është zënë me të tjerë "delegatë" të partisë, që do të marrin pjesë në të njëjtën ditë, në konferencën e mesditës.
Besnik Mustafaj mbetet kandidati kryesor për PD-në e Tiranës, edhe pse Kryeministri Berisha e ka sfumuar jo pak në daljet e tij publike.
Madje, në një nga intervistat televizive, Kryeministri Berisha u shpreh haptazi në mbështetje të kandidaturës tjetër, zëdhënësit të grupit parlamentar, deputetit Aldo Bumçi. Për PD-në e Tiranës janë përfolur edhe kandidatura të tjera si, Edi Paloka, Gjergji Bojaxhiu e Lajla Përnaska.
Ditën e hënë, ku do të zgjidhet kryetari i PD-së së Tiranës, përfundon edhe afati për depozitimin e listave të deputetëve, të çdo subjekti politik në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.