"Grupi hije" dhe puna që kryenin në Gërdec
Ru me GRUPI HIJE
Personat pranojnë se ishin punëtorë në fabrikën e demontimit në Gërdec, por askush nuk është pjesë e borderove të MEICO-s apo "AlbAdemil"
Në grupin hije miku i Shkëlzen Berishës, Rrahman Selmanllari dhe baxhanaku i kryeministrit, Muhamet Hoxha
TIRANË- Punishtja e demontimit në Gërdec e cila shpërtheu mesditën e 15 marsit 2008 që për pasojë solli vdekjen e 26 personave dhe mbi 300 të tjerë të gjymtuar, vazhdon të mbartë mbi vete një enigmë ende të pazgjidhur edhe për Prokurorinë e Përgjithshme, e cila edhe pas 12 muajve hetim nuk ka arritur të zbardhë "pronarët" e vërtetë të kësaj punishteje.
Kështu, grupi hetimor i tragjedisë së Gërdecit, krahas zbardhjes së autorëve indirekt të pasojave të shpërthimit në ish-repartin e tankeve, vazhdon hetimet edhe për disa persona të tjerë, të njohur ndryshe si "grupi hije" i punishtes së Gërdecit.
Ky grup, që menaxhonte dhe kontrollonte thuajse të gjitha hyrje daljet e municioneve në këtë punishte dhe vëzhgonte punëtorët e demontimit të këtyre municioneve, nuk figurojnë të punësuar në asnjërën kompani apo ndërmarrje që kryente punime në këtë punishte.
Ky grup, që sipas akuzës, përbëhej nga miku i ngushtë i djalit të kryeministrit Sali Berisha, shtetasi Rrahman Selmanllari i njohur ndryshe mes miqsh si "Rafi", shtetasi Nazmi Isufaj, Elis Fjolla, Kledian Qefalia, Seran Maçi, Haxhi Mara, Veiz (Vangjel) Muça, Bernard Kaçaçi e Muhamet Hoxha.
Ky i fundit është baxhanaku i kryeministrit Sali Berisha, i cili për fat të keq gjeti vdekjen mesditën e 15 marsit 2008 në punishten e demontimit të municioneve si pasojë e shpërthimit të 400 tonëve barut dhe mijëra predhave.
Asnjë nga këta shtetas nuk figuron në borderotë e tre ndërmarrjeve që kryenin punimet e demontimit në ish-repartin e tankeve në Gërdec.
"Emrat e shtetasve që mbikëqyrnin punimet e demontimit të municioneve në Gërdec, të njohur ndryshe si "grupi hije", ndaj të cilëve institucioni i akuzës po vazhdon hetimet, rezultojnë se nuk janë të punësuar në ndonjërën prej institucioneve që ishte kontraktuar nga Ministria e Mbrojtjes për të demontuar municionet e vjetra.
Nga sekuestrimi i dokumenteve të ndryshme që janë gjetur në vendin e shpërthimit dhe nëpër zyrat e institucioneve apo ndërmarrjeve që kryenin punime në Gërdec, këta shtetas nuk figuronin si të punësuar.
Emrat e tyre nuk figurojnë në borderotë e ushtarakëve të Shtabit të Përgjithshëm apo të punësuarve të Ministrisë së Mbrojtjes, as në borderotë e ndërmarrjes MEICO apo si punonjës të kompanisë amerikane "SAC" e firmës "Albademil" me president të pandehurin Mihal Delijorgji dhe kunatin e tij Dritan Minxholli me detyrën e drejtuesit teknik",- thuhet nga akuza.
Të pyetur nga prokurorët e grupit hetimor të tragjedisë së Gërdecit, këta persona kanë mbajtur qëndrime të ndryshme dhe kontradiktore me njëri-tjetrin, deri aty sa janë shprehur se nuk i njihnin personat me të cilët punonin, e aq më shumë që nuk kanë punuar fare aty.
Ndërsa, disa të tjerë pranojnë që kanë qenë punonjës në Gërdec, të punësuar nga Dritan Minxholli dhe nga i cili merrnin rrogën pa firmosur në ndonjë vend.
Emrat e tyre, sipas prokurorisë, tashmë ndodhen të regjistruar si persona nën hetim dhe pritet që në ditët në vazhdim institucioni i akuzës, do të mbajë një qëndrim hetimor ndaj tyre, duke pushuar çëshjen apo duke i marrë të pandehur për veprimet e kryera në ish-repartin e tankeve duke mbikëqyrës për demontimin e municioneve.