Punëtorët e ARMO protestojnë kundër arbitraritetit

Në ditën e dytë të protestës punonjësit e kompanisë ARMO kërkojnë të drejtën e tyre për zhbllokimin e punës nga veprimet abuzive dhe arbitrare të segmenteve te caktuara shtetërore, të cilët prej kohësh pengojnë daljen e autoboteve nga rafineria, madje kërcënojnë me rrëmbim të aksioneve të kompanisë.
Puna e rafinerisë së Fierit dhe Ballshit vazhdon të mbetet e bllokuar përmes një urdhri verbal dhe krejtësisht antiligjor, transmeton AS. Këto veprime arbitrare nuk mbështeten në asnjë gërmë të ligjit për procedurat tatimore madje as në urdhrin e shërbimit që paraqitet si shkresa e vetme në përligjie të abuzivizmit të këtyre segmenteve keqdashëse
Të irrituar nga këto qëndrime provokative punëtorët e rafinerisë kërkojnë zhbllokimin e punës dhe të llogarive të tyre bankare si të vetmen mundësi jetese për 3 mijë familje.
Kompania ARMO është vënë prej kohësh në një gjendje represioni të pashembullt nga një pjesë e strukturave të shtetit. Qëllimi i vetëm i këtij represioni është grabitja e aksioneve të kësaj kompanie. Ky rrëmbim është qëllimi final dhe për këtë dëshmon e gjithë sjellja dhe gjuha e kësaj pjese të strukturave të shtetit që rrethojnë rafineritë, bllokojnë daljen e mallit, të bitumit, solarit, nënprodukteve të naftës etj.
Kjo sjellje është rënduar muajt e fundit, por ajo ka qenë e pranishme gjatë të paktën katër viteve kur kërcënimi dhe gjobat u shndërruan në rutinë dhe kur kërkesa për rrëmbimin e aksioneve u bë e qartë. Nga ana tjetër ekipi i shtetarëve të porositur me misionin e bllokimit antiligjor nuk është ne gjendje te japë shpjegim per arsyet e këtij akti dhe nuk mund te paraqesë asnjë shkrese apo urdhër.
Përgjatë katër viteve të deritanishëm kjo pjesë e strukturave të shtetit e ka gjobitur kompaninë ARMO me rreth 100 milionë dollarë, ku vetëm muajt e fundit janë vendosur 60 milionë dollarë gjoba, ndërsa përpjekjet për grabitjen e aksioneve të kompanisë nuk kanë reshtur edhe me mjete të tjera antiligjore deri në bllokimin më të fundit me automjete të shtetit dhe pa targa. /Indeksonline/