Punëtorët e ARMO-s vijojnë protestën, kërkohet largimi i tatimorëve
Fier- Edhe të premten punëtorët e kompanisë së naftës ARMO vijuan protestën e tyre duke kundërshtuar veprimet e punonjësve të tatimeve.
Paraditen e sotme ata u mblodhën në ambjentet e brendshme të rafinerisë dhe kërkuan që tatimorët të largoheshin nga ambjentet e uzinës.
Punonjësit i janë drejtuar shtetit që të zhbllokojë kët situatë sa një orë e më parë:
Për zhbllokimin e financave tona dhe që të ecë puna normalisht, i lutemi shtetit ta zhbllokojë situatën një orë e më parë që ne të punojmë, tha një punonjës.
Ndërsa një tjetër theksoi se sindikata do të mblidhet mbas protestave “dhe do merren masa të mëtejshme, ndoshta edhe një grevë urie, për zgjidhjen e problemit në favor të punës dhe financave të punonjësve, tha ai.
Përfaqësuesi ligjor i ARMO-s, Armir Kodra tha: Nuk ka asnjë ligj që të na pengojë të shesim. Këto janë presione të hapura ndaj presidentit të kompanisë për të marrë aksione. Përse i kërkojnë tani që janë në fund të pushtetit? Automjetet tona janë të bllokuara.
Prej dy ditësh situata ka qenë e tensionuar në ambjentet e uzinës së rafinerisë së naftës në qytetin e Fierit kur tatimorët ndalojnë çdo mjet që del me naftë nga rafineria duke kërkuar dokumentacionin.
Ata kanë thënë se kompania ARMO ka detyrime të pashlyera ndaj organeve shtetërore.