E Diel, 1 Nëntor 2026

Punëtorët e ndërmarrjes "Pastrimi" raportojnë për korrupsion

Keqpërdorimet e shumta, nepotizmi, korrupsioni dhe anarkia që tash e sa kohë janë pjesë e Kompanisë Rajonale “ Pastrimi” në komunën e Prishtinës, kanë detyruar një grup punëtorësh aty të shkruajnë një letër të gjatë parregullsish që ndodhin në atë kompani.

Të frikësuar se po e humbin vendin e punës, në kushte anoninimiteti, ata i kanë paraqitur të gjitha faktet një nga një dhe i kanë bërë thirrje Agjencisë kundër Korrupsion, Prokurorinë e Shtetit, Komunën e Prishtinës si dhe EULEX- it që të ndërmarrin hapa konkret drejt parandalimit të korrupsionit për të cilin thonë se mbizotëron në kompaninë “Pastrimi”, para se të bëhet shumë vonë.

Thonë se gjendja aty është shumë e rëndë, prandaj edhe janë detyruar që me anë të kësaj letre të bëjnë thirrje për ndihmë. “Punëtorët e kësaj ndërmarrje janë të shqetësuar për të ardhmen e tyre sepse në këtë mënyrë nuk mund të shkoj tutje, nëse edhe kjo ndërmarrje si pasojë e lëngatës së korrupsionit si ndërmarrjet tjera publike dhe komunale do të falimenton, familjet e tyre nuk kanë nga t’ia mbajnë. Prandaj, ftojmë institucionet kompetente shtetërore të ndërmarrin masa”, thuhet në kërkesën e punëtorëve aty.

Akuza të rënda kanë hedh mbi Feim Salihun drejtor të ndërmarrjes “Pastrimi”. Duke u nis nga punësime që ai ka bërë e deri tek vjedhjet e kompanisë.

“Që nga emërimi i drejtorit të kësaj ndërmarrje Feim Salihu, partia ka arritur që të rehabilitoj në kuadër të kësaj ndërmarrje 76 punëtorë. Këta punëtorë vijnë nga strukturat e partisë dhe nga ndërmarrjet tjera publike komunale të cilat janë në prag të falimentimit, siç është rasti i NPK” Trafiku Urban” punëtorë këta të cilët ende nuk i kanë të mbyllura llogaritë në ndërmarrjet prej nga vijnë për shkak të aferave korruptive dhe vazhdojnë ende tu mbeten të hapura dosjet nëpër gjykata të ndryshme”, thuhet në letrën e gjatë të punëtorëve të kompanisë “Pastrimi”.

“Ai ka shkel çdo rregullore të ndërmarrjes si dhe ligjin, pa shpallur fare konkurs ka bërë pranimin e punëtorëve të cilët vijnë nga partia pa përgatitje të duhura dhe përvojë pune, sistemohen në vende kyçe duke injoruar punëtorët që tanimë kanë dëshmuar profesionalizëm mbi 30 vjet. Punësimi është bërë pa asnjë lloj kriteri, mbase mund të thuhet se këta punëtorë edhe sot nuk bëjnë ndonjë punë me rëndësi përderisa qyteti kundërmon nga bërlloku. Thuaja shumica e të punësuarve në këtë ndërmarrje kanë zënë punë në saje të dhënies së mitos”.

E kjo nuk është e tëra. Këta punëtorë po e akuzojnë shefin e tyre edhe për vjedhje të shumta.

“Me të ardhur në krye të ndërmarrjes z. Feim Salihu, pak muaj më vonë, humbet apo më mirë të themi vidhet automobili i ri i tipit Audi, dhe sot e asaj dite nuk dihet se ku ka tretur. Disa ditë më vonë fillon procesi i shitjes së kamionëve të prodhuar në vitin 2004, edhe atë shitën në hekurishte për hekur”.

Përveç kësaj, gjatë vitit 2012 sipas të dhënave të besueshme që këta punëtor po pretendojnë se i kanë, nuk dihet se ku kanë tretur 9 mijë litra naftë. “Rojet të cilët i ka punësuar vet drejtori vjedhin 13 akumulatorë-bateri të kamionëve, rasti është i paraqitur edhe në polici, mirëpo ende nuk dihet epilogu, i cili tanimë është i ditur botërisht se kush i vodhi”.

“30 mijë euro të parapara për blerjen e rrotave për kontejner janë avulluar spse si pasojë e kualitetit të dobët janë shitur për hekur. Për dy disqet e blera për kamion me çmim prej 90 euro për copë drejtori vetë vendosë vlerën e çmimit për copë me një shumë marramendëse prej 1045 euro ku edhe janë paguar mirëpo komisione edhe sot e kësaj dite heziton ta nënshkruaj. Drejtori i akomoduar mbase me rehati të paparë nuk kurseu paratë e ndërmarrjes bleu edhe një telefon në vlerë prej 700 eurove, mjete këto mbase jo të tijat”.

“Drejtori duke pasur primatin e një ‘sulltani’ ka shpenzuar për ‘haremin’ e tij për vizita nëpër Shqipëri për çdo dy javë nga 1 mijë e 500 euro që do të thotë 3 mijë euro në muaj duke mos ofruar asnjë dëshmi për qëllimin e vizitës”, thonë këta punëtor, sipas të cilëve, Salihu përveç shpenzimeve marramendëse financiare nuk ka dhënë asnjëherë shpjegim për shpenzimet në këtë ndërmarrje.

E për krejt këto ata po pretendojnë se kanë fakte të bollshme të cilat dëshmojnë se Feim Salihu po keqpërdor pozitën e tij dhe po ushtron korrupsion.

“Ekzistojnë edhe fakte- foto të cilat dëshmojnë për këto të dhëna dhe të bëma. Keqpërdorimet janë të panumërta jo vetëm nga sasia e të hyrave për shërbimet e kryera por ka edhe keqpërdorime të subvencioneve financiare të alokuara nga komuna, kështu ky drejtor matrapaz po keqpërdor paratë e taksapaguesve kosovar”./Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›