Punimet e fundit për selinë e re të Partisë Demokratike
Ndryshimi nga flamuri tek ngjyrat
Flamuri i Partisë Demokratike dhe ngjyrat e saj i kanë dhënë dorën e fundit tjetërsimit të ish-Shtëpisë Qendrore të Ushtrisë në seli të kësaj force politike. Punimet kanë vazhduar deri në momentin e fundit, në pritje të inaugurimit të mjediseve të reja.
Selia e re Partisë Demokratike tashmë ka marrë edhe ngjyrat e forcës politike që do të presë në ambientet e saj. Jeshilja ushtarake, i ka lënë vendin blusë, edhe në portën rrëshqitëse në hyrje të oborrit. Përtokë janë rikaluar vijat e bardha të qarkullimit. Por ende mbeten gjëra të vogla për t’u sistemuar. Brenda oborrit, punëtorët kujdesen për konturet e lulishtes së selisë së re.
Degët e tepërta largohen. Sistemi i ndriçimit gjithashtu është përforcuar.
Kujdes i është dedikuar edhe arredimit të brendshëm. Vizita e ambasadorit Arvizu është një mundësi për kameran që të kuriozojë. Mikrofonat e gazetarëve prisnin me durim foltoren për fjalimin e parë nga selia e re. Përveç emrit të ri me të cilin do të duhet pak kohë të mësohemi, nga ish-SHQUP-i s’ka mbetur asgjë. Që këtu ishte zonë ushtarake, ta kujton vetëm një tabelë e harruar në një derë anësore të gardhit rrethues.