Punonjësi i përkushtuar i postës/ Ali Vorfa për 49 vite punoi si shpërndarës i letrave

I është përkushtuar shërbimit postar prej 49 vitesh nga mëngjesi në darkë. Ali Vorfa e ka nisur si shpërndarës i postës në vitin 1975 dhe që prej asaj kohe i është dedikuar punës së tij në Filialin e Shkodrës të Postës Shqiptare.
“Unë kam qenë fëmijë 16-17 vjeç dhe kam qenë shpërndarës. Kam pnuar me devotshmëri sa kam pasur mundësi. Mbasi mbarova shkollën dhe kursin në Tiranë u emërova përgjegjës shtypi”, thotë Ali Vorfa.
Që nga kartolinat dhe deri tek epoka e re digjitale, natyra e shërbimit postar ka ndryshuar vazhdimisht por puna nuk është ndalur asnjëherë.
“Në atë kohë kemi pasur shumë shërbime, kemi pasur shumë kartolina, dilnim edhe mbasdite vonë”, thotë Ali Vorfa punonjës i postes Shqiptare.
Momente të bukura ka kaluar plot por edhe ato të vështirat nuk kanë munguar.
“Disiplina është gjëja themeltare, pastaj korrektësia, komunikimi me njerëzit është gjëja thelbesore”, thotë Aliu.
Ali Vorfa është në prag të pensionit dhe si një punonjës i përkushtuar i Postës, ai thotë se çdokush që kërkon të jetë pjesë e saj duhet të udhëhiqet nga disiplina dhe komunikimi.
Çdo vit me datën 9 tetor, kremtohet “Dita Botërore e Postës”, që shënohet në përvjetorin e Unionit Universal Postar (UPU), i cili filloi në 1874, në Zvicër. Që atëherë, vendet në mbarë botën marrin pjesë në festime, për të theksuar rëndësinë e shërbimit postar.
Gazetare: M.Gjini
/RTSH/