Punonjësit e seksit, më të ekspozuar ndaj dhunës
Shqipëria e ndalon aktivitetitin e prostitucionit me ligj. Por, ky fakt nuk e ka penguar këtë fenomen të gjëllojë cepave e skutave të fshehta. Statistika të mirëfillta për numrin e këtyre punonjëseve nuk ka, për vetë fshehtësinë e aktivitetit, por studime të ndryshme evidentojnë se punonjëset e seksit janë grupet më të ekspozuara ndaj dhunës, shfrytëzimit dhe infektimit të sëmundjeve seksualisht të transmetueshme. Në Ditën Ndërkombetare të Dhunës kundër punonjëseve të seksit, qendra "Aksion +", nxjerr në pah faktin se, Rezoluta e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara mbi HIV/SIDA-n e adoptuar në Qershor të këtij viti, deklaron se " duhet të veprohet pa humbur kohë për të përmirësuar legjislacionin, apo strategjitë për të dalë mbi barrierat që bllokojnë aksesin në parandalimin, trajtimin, shërbimet dhe mbështetjen ndaj punonjësve të seksit. Këta të fundit, nuk kanë akses në edukimin për infeksionet e HIV-it, testimet e sëmundjes apo marrjen e masave parandaluese.Deklarata Universale e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut thotë se, "Askush nuk duhet të jetë subjekt i trajtimit çnjerëzor, poshtërues apo ndëshkues". Rrahjet, dhuna seksuale, korrupsioni, abuzimi policor janë krime që punonjësit e seksit i përjetojnë më shumë se kushdo tjetër. Stigma që opinioni publik dhe shoqëria ka për punonjësit e seksit do të thotë që kjo dhunë shpesh të konsiderohet si normale, dhe si pjesë e jetës apo punës së punonjësve të seksit.