EULEX-i,premton rezultate që në fillim

Shefi i EULEX-it Iv de Kermabon deklaron se pas dislokimit të stafit në gjithë territorin e Kosovës, misioni i BE-së është i gatshëm të fillojë misionin në fushën e sundimit të ligjit. EULEX-i është i gatshëm që të fillojë punën në fushat e përgjegjësive që kanë të bëjnë me sundimin ligjit, tha shefi i këtij misioni, Iv de Kermabon, pas takimit të Bordit Koordinues për Sundimin e Ligjit. Ai tha se shtrirja e EULEX-it në gjithë Kosovën e ka ndihmuar shumë misionin që ai drejton për të besuar në suksesin e tij. Kermabon u shpreh se misioni i tij do t'i japë rezultatet e para që në fillim dhe kjo, sipas tij, do të dëshmohet ditëve në vijim. "Tani jemi në pozitë që të fillojmë të punojnë në fushën e sundimit të ligjit së bashku me qeverinë e Kosovës, duke besuar në arritjen e shpejtë të rezultateve pozitive", tha Kermabon. Ndërkohë, zëvendëskryeministri kosovar Hajredin Kuçi, i cili kryeson Grupin Koordinues, tha se vendosja e EULEX-it ishte një mesazh dhe shpresë e mirë për të gjithë ata që duan ta respektojnë sundimin e rendit dhe ligjit dhe një lajm i keq për ata që e kundërshtojnë ligjin. Bordi Koordinues për Sundimin e Ligjit i ka vlerësuar si shumë të rëndësishme edhe reformat në sistemin e drejtësisë, që po përgatiten nga qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Drejtësisë. Iv de Kermabon premtoi se EULEX-i do t'i ndihmojë institucionet vendore në zhvillimin e këtyre reformave që mendohet të startojnë që vitin tjetër. Misioni i BE-së ka dislokuar në Kosovë mbi 1 mijë e 400 veta, ndërkohë që planifikon që deri në pranverë, stafi i këtij misioni të jetë rreth 3 mijë veta.