“Punonjësit e vendit – pasuri kombëtare, Edi Rama t’ju kërkojë falje infermiereve”
Kryeministri Berisha reagon kundër deklaratave të Ramës ndaj punonjësve të sistemit të shëndetësisë
Kryeministri Berisha deklaroi dje, se punonjësit e vendit nuk duhen të përdoren për të goditur kundërshtarin politik, ndërsa i bëri thirrje kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama të kërkojë ndjesë publike për etiketimet jo etike në adresë të infermiereve, bërë disa ditë më parë.
Sipas tij, Rama ka tejkaluar çdo lloj kufiri elektoral, duke thënë fjalë shumë të pamatura ndaj infermiereve. “I kërkoj zotit Rama të tërheqë publikisht, fjalën shumë pamend që ka thënë për infermieret. Unë sërish dua të them se në ditët e para të punës sime, student e më vonë, unë jam frymëzuar nga heroizmi e përkushtimi i punës së tyre. Mjeku nuk e ka të thjeshtë detyrën, e ka të vështirë, me përgjegjësi e të komplikuar, por edhe më të vështirë e ka infermieria. Të lëshosh fjalë të pakontrolluara në adresë të infermiereve, është shumë e papranueshme, ndaj unë i kërkoj në mënyrë të vendosur, të kërkojë publikisht të falur. Së pari, për kontributin e jashtëzakonshëm që ato japin. Zoti Rama nuk mund të na thotë mua e shqiptarëve se ka një profesion më të mundimshëm se profesioni i infermieres. Së dyti, ato janë vajza, gra, nëna, motra dhe nuk kisha dëgjuar kurrë ndonjëherë diçka të tillë. Në qoftë se spitalet të duken shtëpi publike, ke rënë në një botë apo në Shqipërinë e gënjeshtrave, siç thua ti. Spitalet kanë të metat e problemet e tyre, por absolutisht në po ato spitale bëhet një punë ndër më të shkëlqyerat, shpëtohen çdo minutë, orë e ditë jetë njerëzish; në po ato spitale, që kanë të meta e defekte, në mënyrë të padiskutueshme ekziston edhe teknologjia më moderne e kohës, në shërbim të sëmurëve. Të shprehesh siç është shprehur zoti Rama, është shumë e rëndë. Gjatë gjithë këtyre ditëve mendova se ai do të bënte një falje publike, por nuk e bëri. Zoti Rama, duhet ta bësh se ke tejkaluar çdo kufi elektoral. Ajo është fjalë shumë e pamenduar. Çdo të thoshte zoti Rama, nëse kryeministri do të jepte një urdhër të mos e pranoni në spital të pashoqëruar me bashkëshorten! Fushatë le të bëjë, t’i kundërshtarit adresojë çfarë të dojë, por jo infermieres, mësuesit e mësueses, punonjësve të thjeshtë. Këta janë pasuri kombëtare. Punonjësit nuk janë reparte partiake, nuk janë grupe a klube militantësh, ndaj tyre duhet të kemi një qëndrim të kujdesshëm, aq më tepër me fjalë të tilla të rënda, që janë absolutisht të papranueshme”.