“Deklaratat e Edi Ramës për infermieret, të nxituara, pa vend dhe pa seriozitetin e duhur”

Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili
Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili shprehu shqetësimin e kësaj partie lidhur me përqendrimin e vëmendjes te zgjedhjet e 23 qershorit, duke lënë mënjanë problematikat e qytetarëve.
Sipas tij, LSI tërheq vëmendjen dhe bën thirrje që e gjithë administrata qendrore dhe lokale të rikthehet me përqendrimin e duhur në të gjitha problemet që janë përgjegjësi shtetërore, administrative dhe burokratike.
Ndër të tjera, Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili vuri në dukje se heshtjen në përgjithësi e politikës shqiptare ndaj apeleve të rëndësishme të bëra nga Bashkimi Europian.
Ndërsa në lidhje me deklaratat e kreut socialist nga Korça lidhur me sistemin shëndetësor, sidomos etiketimi që ai i ka bërë infermiereve, komenti i nënkryetarit të LSI-së ishte se, “nuk ka një sistem shëndetësor në Shqipëri apo në botë që të ekzistojë pa praninë e figurës themelore të infermierit në sistem. Sigurisht që deklaratat e nxituara, pa vend dhe pa seriozitetin e duhur sigurisht që janë të papranueshme dhe në vend të këtyre duhet të ketë një vlerësim maksimal për punën e tyre duke vlerësuar dhe kushtet jo të lehta në të cilat ajo zhvillohet, përballjen jo vetëm me të sëmurin dhe problematikën shëndetësore që vetë përbën një problematikë shumë të komplikuar, por edhe me vështirësi të tjera të gjitha llojeve që infermieret hasin, qoftë në planin psikologjik në raportin e tyre me të sëmurin dhe familjarët por edhe me raportin e plotësimit e të gjitha atyre procedurave mjekësore të cilat duhen përmbushur”, vijoi ai. Në fund të deklaratës së tij, Vasili nënvizoi se sistemi shëndetësor shqiptar i konsoliduar në pikëpamjen e modelit të tij dhe të shtyllave ku reforma duhet të vendoset sigurisht ka probleme përsa i takon masës dhe sasisë së financimit.