E Shtunë, 31 Tetor 2026

Punonjësja e “Sirea”: Vajza, për vite e afërt me familjen e Bombajt

“Ai e ka zbuluar atë që kur ishte 8 vjeçe dhe ajo shfaqi menjëherë një talent të jashtëzakonshëm. Për vite me radhë, Leonardi e ka trajtuar si vajzën e vet. Ajo mori për kot kur u njoh me repistat”

Një prej punonjësve të kompanisë “Sirea”, e kontaktuar dje nga MAPO ka treguar detaje në lidhje me bashkëpunimin e gjatë në vite mes Leonard Bombajt dhe minorenes, e cila ka qenë dhe imazhi i “Sirea Film” për vite me radhë. Punonjësja I.E. ka qenë për një periudhë kohore edhe anëtare e bordit drejtues, ndërsa ka kërkuar që të mos bëhet publik identiteti i saj i plotë, në respekt të vendimit të regjisorit Bombaj për të mos bërë deklarata dhe sqarime publike, pa nisur gjykimi i çështjes.

Prej sa kohësh punoni në “Sirea Film”?

Kam thuajse katër vite e angazhuar aty. E kuptoj shumë mirë për çfarë jeni të interesuar, por nuk mund të jemi ne ata që mund të flasim, përpara vetë Leonard Bombajt, i cili ka vendosur të heshtë për momentin dhe të presë rrugën ligjore. Është ai një ndër personat më të prekur në këtë histori dhe prandaj çdo ekspozim i yni do ishte mungesë respekti ndaj një vendimi të Leonardit.

Prej sa kohësh ka nisur kjo histori akuzash dhe kundërakuzash mes Bombnajt dhe minorenes?

Ka gati një vit kjo histori. Ka disa muaj që jemi njohur me to, fillimisht në formë thashethemesh dhe më pas disi më në detaje.

Përse u përjashtua minorenia nga shkolla dhe bordi drejtues rreth një vit më parë?

Në dijeninë time, ajo nuk ka qenë asnjëherë pjesë e bordit drejtues. Megjithatë, ka qenë një person që paguhej nga “Sirea”, ka qenë imazhi i “Sirea”-s dhe një person shumë i ngushtë e rrethit familjar të Leonardit. Ai e ka zbuluar atë që kur ishte 8 vjeçe dhe ajo shfaqi menjëherë një talent të jashtëzakonshëm. Kushtet e saj ekonomike nuk kanë qenë ndër më të mirat, ndaj dhe për vite me radhë Leonardi e ka trajtuar si vajzën e vet, madje ajo njihte shumë mirë dhe ishte shumë e lidhur dhe me gruan e Leonardit dhe të tjerë njerëz të tij. Nga shkolla u përjashtua sepse përpara se të përjashtohej ajo kishte marrë për kot, kishte dalë jashtë kontrollit.

Çfarë nënkuptoni me fjalën “kishte marrë për kot”?

Nuk paraqitej fare në shkollë dhe shoqërohej me këta repistat dhe nisi stilin e tyre të sjelljes dhe komunikimit. Ndaj Leonardi vendosi ta përjashtojë. Në këtë moment ajo pastaj nisi shantazhet dhe sulmet, por edhe nën dirigjimin e Stresit dhe grupit të tij.

Ju vetë keni parë ndonjë shantazh aty në mjediset e “Sirea Film”?

Po, fillimisht ajo përpiqej që të bënte nxënësit për vete, duke folur keq për Leonardin, më vonë i hyri historisë me shantazhe më të rënda dhe arriti deri aty deri sa t’i shkonte në shtëpi me ata djemtë, duke e kërcënuar me armë dhe duke i marrë lekët.

Kjo histori çfarë efekti ka krijuar te prindërit e nxënësve të tjerë?

Mendoj se efektet nuk mund të jenë shumë të mira, në të gjitha aspektet. Unë them se kjo histori do sqarohet shumë shpejt dhe çdo gjë do shkojë drejt normalitetit dhe “Sirea” do vijojë projektet profesionale Të gjithë prindërit e tjerë e njohin vetë Leonardin dhe gjithë secili e shef me sytë e tij si është e vërteta.

Po sipas jush, si është e vërteta?

Që gjithçka është një kurth dhe shantazh dhe se Leonardi është një njeri korrekt në punë.

E dini që ajo vajzë ka akuzuar edhe në prokurori për kryerje të marrëdhënie seksuale regjisorin Bombaj?

Ajo vajzë ka qenë për vite me radhë shumë e afërt me familjen e Leonardit dhe me atë vetë, por mendoj se në këtë rast bëhet fjalë vetëm për shantazh dhe e kanë instruktuar repistët.

Pse jeni kaq e sigurt?

Sepse e njoh Leonardin, njoh dhe atë si u transformua kohët e fundit.

Po a mjafton kaq, për të qenë e bindur se vërtet nuk ka ndodhur gjë? Vajza denoncon nga ana e saj…

Siguri maksimale mund të ketë vetëm nga hetimet profesionale të organeve të shtetit. Unë ju shpreha bindjen time personale. Bisedoi: H.Hasani

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›