E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çështja “Bombaj”, zbardhen dy videot e 15-vjeçares që akuzon për përdhunim

SHKRUAN: Habjon Hasani 01-06-2011 11:09

Një Lolitë e abuzuar nga “babai” i artit, apo një Matildë e frymëzuar nga jeta e një repisti, që e kërkon famën sa në kronikën rozë, aq edhe në atë të zezë të Tiranës? Kjo është dilema rreth 15-vjeçares që ka akuzuar regjisorin Leonard Bombaj për dhunë seksuale, e që më pas u bashkua me repistin Stresi e miqtë e tij, për ta shantazhuar atë. E si në një histori me dy të vërteta, duket se e drejta ligjore deri më tani ka anuar në favor të atij që ka më shumë prova: Leonard Bombajt. Përveç vërtetimit të alibisë së tij për gjobëvënie e shantazh nga të rinjtë, Bombaj është investuar në një përpjekje për të dokumentuar të gjitha kërcënimet, duke krijuar një “videotekë” me filmime, të cilat është gati t’i përdorë në favorin e tij. Gazeta MAPO ka mundur dje të mësojë përmbajtjen e të paktën dy regjistrimeve video, të cilat disponohen nga Leonard Bombaj dhe ku objekti i regjistrimit është pikërisht minorenia që e ka akuzuar për përdhunim regjisorin. Bombaj ka angazhuar për kryerjen e regjistrimit një të njohur të përbashkët, i cili është punonjës i kompanisë “Sirea” në pronësi të Bombajt. Në këtë video shfaqet një bashkëbisedim në një automjet mes punonjësit “të infiltruar” të Bombajt dhe minorenes. Në bashkëbisedim e sipër, ndërsa punonjësi e pyet minorenen se përse po e bënte të gjithë këtë, kjo e fundit i është përgjigjur: “Unë jam aktore dhe ti e di që aktroj shumë mirë. Kam për t’ia nxirë jetën Leonard Bombajt, kam për ta shkatërruar”. Ndërsa në videon e dytë, vajza është filmuar në mjediset e shkollës “Sirea”, ku përpara disa nxënësve të kësaj shkolle dhe stafit ajo ka lexuar një deklaratë. Përmbajtja e deklaratës nuk është gjë tjetër veçse një falje publike ndaj regjisorit Bombaj, e lexuar publikisht në shkollë. Minorenia, duke lexuar deklaratën shprehej se i kërkonte falje regjisorit për sjelljen e saj dhe shantazhet që i kishte bërë, duke u përgjëruar dhe duke bërë lutje që të mos përjashtohej nga shkolla. Këto dy video disponohen nga Bombaj, ndërsa “videoteka” e tij duket se ka dhe të tjera filmime, që kanë si personazhe të tyre jo vetëm minorenen, por edhe Arkimed Lushajn dhe tre shokët e tij. Fillimisht, prokuroria ka nisur dy hetime paralele, ku i pari ishte hetimi ndaj Bombajt, i dyshuar për marrëdhënie seksuale me të mitura, ndërsa tjetri ishte hetim për gjobëvënie ndaj Stresit, tre shokëve të tij dhe minorenes. Në hetim e sipër, prokuroria nuk ka mundur të vërtetojë shkencërisht pretendimet e minorenes për përdhunim, ndërsa disponon prova të shumta për të gjithë procesin e gjatë të presioneve dhe gjobëvënieve ndaj Bombajt. Ky i fundit edhe vetë ka bërë “punë operative”, kryesisht përmes filmimeve për të vërtetuar pretendimet e tij, filmime të cilat Bombaj i disponon. Nga ana tjetër, prokuroria pasi ka pyetur një rreth shumë të gjerë personash të lidhur në mënyrë direkte apo të tërthortë me personazhet e kësaj historie, ka mundur deri më tani të faktojë se prindërit e minorenes janë njoftuar për gjithçka në momentin e fundit, pikërisht atëherë kur në lojë hyri prokuroria. Nga thëniet dhe deklarimet zyrtare të dëshmitarëve rezulton se minorenia ka qenë një investim i drejtpërdrejtë profesional në vite i regjisorit dhe marrëdhënia me të ka qenë më tepër se profesionale, pasi vajza ishte familjarizuar prej vitesh edhe me njerëzit e shtëpisë të Bombajt, kryesisht bashkëshorten e tij. Madje, ajo për shumë kohë ka qëndruar në periudha relativisht të gjata në familjen dhe shtëpinë e Leonard Bombajt. Që prej moshës 10-vjeçare, minorenia ishte bërë “si njeriu i shtëpisë” në familjen e regjisorit. Në këtë marrëdhënie mirëbesimi janë përfshirë dhe prindërit e minorenes, të cilët kanë qenë të fundit që kanë mësuar deri ku kishin arritur historitë e vajzës dhe janë mëse të bindur se Bombaj në të vërtetë ka kryer marrëdhënie dhe ka abuzuar më të bijën e tyre. Vetë minorenia, në deklarimin përpara prokurorëve të çështjes ka pranuar menjëherë implikimin e saj me Stresin dhe tre miqtë e tij dhe ka përshkruar në detaje të gjithë skemën e gjobëvënies ndaj Bombajt. Ajo gjithashtu në detaje ka përshkruar përpara prokurorëve edhe situatat dhe rrethanat në të cilat ka pretenduar se Bombaj ka kryer marrëdhënie seksuale me të. Prokuroria nuk ka mundur deri më tani të vërtetojë dhe verifikojë si korrekte detajet e abuzimit seksual të përshkruara nga minorenia, ndaj dhe hetimi në këtë pistë nuk ka sjellë një akuzë në drejtim të regjisorit, por vetëm me akuzë për gjobvënie në drejtim të Stresit, tre miqve të tij dhe minorenes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›