E Shtunë, 31 Tetor 2026

Punonte për riparimin e shtëpisë, vjedh letrat me vlerë

25/08/2009  Në vlerë 18 milionë lekë

ELBASAN-Një i ri ka menduar të pasurohet me letra me vlerë duke i vjedhur ato nga shtëpia që po riparonte. Ngjarja e çuditshme ka ndodhur në lagjen “Kala”, në qendër të qytetit të Elbasanit ku një ndihmës usta, teksa punonte për riparimin e shtëpisë ka përfituar nga mungesa e vëmendjes së familjarëve duke vjedhur nga komodina 18 milionë në letra me vlerë dhe një aparat fotografik. I riu akuzohet se në datën 22 gusht ka vjedhur në banesën e shtetasit Reshit S. me banim në lagjen “Kala” 18.000.000 bono dhe një aparat fotografik. Pronari i shtëpisë e ka konstatuar vjedhjen pas largimit të ustait. Ai ka kryer kallëzim penal në polici. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e 22-vjeçarit policia ka gjetur një aparat fotografik, i cili është konfiskuar në cilësinë e provës materiale. Pritet që ai të tregojë edhe vendin ku kanë përfunduar letrat me vlerë që deri tani nuk janë gjetur.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›