E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pushimet e VIP-ave shqiptarë mes Pogradecit, Sarandës e Parisit



Petrika GROSI
Ndërkohë që për politikanët nuk ka pushime pasi vazhdojnë seancat në Kuvend, jemi përpjekur të mësojmë se ku po i kalojnë dhe si do t’i kalojnë pushimet verore disa nga VIP-at shqiptarë, artistë, këngëtarë, shkrimtarë e aktorë. Ajo që mund të thuhet është se një pjesë e mirë e VIP-ave të artit për këtë vit po merren me veprimtaritë e tyre dhe nuk po i shijojnë tërësisht pushimet, ose dhe ata që po i bëjnë kanë zgjedhur bregdetin shqiptar për këtë verë. Pogradeci e Saranda janë më të preferuarit. Në Pogradec Dritëro Agolli, por edhe Cekja i Beratit, ndërkohë që kolosi i letrave shqipe, Ismail Kadare Durrës mbetet si zakonisht mes Durrësit e Parisit, edhe Adi Krasta me familjen shtegton për në Francë.

Kadare, pushimet mes Durrësit dhe Parisit

Shkrimtari Ismail Kadare njësoj si vitet e tjera edhe këtë vit do t’i ndajë pushimet mes vilës së tij në plazhin e Durrësit dhe shtëpisë në Paris sëbashku me bashkëshorten, Helenë, fëmijët, e mbesën.

Agolli, bashkë me Sadijen në Pogradec

I shoqëruar nga bashkëshortja Sadije, shkrimtari Dritëro Agolli vazhdon të bëjë pushimet në liqenin e Pogradecit, ku prej vitesh ai parapëlqen të kalojë verën e nxehtë. Fundja në Pogradec nuk kalohet aspak keq; ka peizazhe mahnitëse, por edhe raki e verë të mirë...

Krasta, pushime me prindërit dhe fëmijët në Francë

Prezantuesi televiziv dhe gazetari Adi Krasta mesa duket këtë vit do të kryejë pushimet familjarisht në Francë. Ai nuk na ka treguar tkrejt saktësisht pikërisht se ku do të pushojë, por i pyetur nga gazeta “Albania” është përgjigjur se po udhëton drejt Francës me makinën e tij, ndërkohë që me vete ka marrë prindërit e fëmijët.

Nora Istrefi “me një gur vret dy zogj” në Ohër

Pas vajtjes së saj në Ohër të Maqedonisë sëbashku me të dashurin tashmë të zyrtarizuar, këngëtarja Nora Istrefi po kalon pushimet në Liqenin e Ohrit. Kësaj here me një gur ajo ka vrarë dy zogj; ka punuar me xhirimet për videoklipin e ri si dhe kryen pushimet për këtë verë.

Ndriçim Xhepa me gruan dhe djalin në Sarandë

“Jam në Sarandë me gruan dhe djalin. Do të rrimë këtu në hotelin që kemi zgjedhur për të bërë pushimet deri në fund të muajit për t’u rikthyer më pas në Tiranë, pasi gruaja fillon punë kurse unë kam impenjimet me teatrin dhe kinemanë”, -kështu është shprehur aktori i njohur Ndriçim Xhepa i pyetur nga gazeta “Albania” se ku po i kalon pushimet për këtë sezon.

Cekja në Pogradec me familjen

“Jam në me pushime në Pogradec dhe do të rri këtu deri në fund të gushtit”, - tregon Cekja i Beratit për gazetën “Albania”. Ai është duke shijuar liqenin dhe freskinë e Pogradecit së bashku me familjen, dy gocat dhe çunin e vet. Aktori komik tepër i dashur për publikun shqiptar, tregon se do t’i ndërpresë ndoshta disa ditë pushimet pasi në datën 21 të këtij muaji është i ftuar në një aktivitet festiv në Poliçan.

Çiljeta në Velipojë, Poni në Itali?

Çiljeta ka kryer disa ditë plazh në Velipojë ku është dëfryer me miqtë e saj, duke kërcyer e kënduar. Nuk dimë se ç’planesh të tjera ka ajo për këtë verë. Ndërkaq mësojmë se për Ponin nuk ka pushime, gjithmonë në rast se ajo nuk do t’i bëjë në Itali ku është duke zhvilluar disa koncerte.

19 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›