E Diel, 1 Nëntor 2026

Familjet që do të trajtohen me bonus strehimi dhe me bonus qiraje në Tiranë



Emanuela Sako

Familje në kryeqytet që nuk kanë një strehë për të jetuar, mund të trajtohen nga Bashkia e Tiranës me bonus qiraje apo bonus strehimi. Numri i familjarëve që kërkojnë të trajtohen nga bashkia si të pastrehë është tepër i lartë, i cili shkon deri në 4000 familje. Burime nga Bashkia e Tiranës, sqarojnë se nga të pastrehët e kryeqytetit, rreth 50 për qind e tyre kanë aplikuar për t’u trajtuar me bonus strehimi dhe 50- 20 për qind e familjarëve aplikojnë të trajtohen me bonusin e qirasë. Arsyet e aplikimit në njërin apo tjetrin program social janë të ndryshme. Por, ajo që e shpjegon situatën është se këta familjarë nuk kanë as më të voglën mundësi për të përballuar koston e banesës që do të përfitojnë nga programi i bonusit të strehimit dhe për këtë, ata kërkojnë të trajtohen me bonus qiraje. Që do të thotë se do të gjejnë një shtëpi me çmim të lirë në një nga periferitë e Tiranës dhe do të paguajnë qiranë vetëm me ndihmën e Bashkisë së Tiranës. Burime nga Bashkia e Tiranës shpjeguan për gazetën “Albania” se të gjithë familjarët që aplikojnë për bonus qiraje, kanë më tepër mundësi për t’u përzgjedhur ndër kandidatët që do të aplikojnë më vonë për bonus strehimi.
Përfituesit
Bashkia e Tiranës ka vënë në dispozicion të qytetarëve dy mënyra të trajtimit të strehimit Social, të cilat janë bonusi i strehimit dhe bonusi i qirasë. Personat që trajtohen nga Bashkia e Tiranës si të pastrehë, por që janë përzgjedhur si përfitues të bonusit të qirasë, kanë më shumë mundësi përfitimi të bonusit të strehimit në banesat sociale me qira të ulët. Ky është edhe ndryshimi mes dymënyrave të trajtimit social. Njëra nga mënyrat është bonusi i qirasë, nëpërmjet të cilit familjarët zgjedhin një shtëpi në një nga zonat e Tiranës dhe iu paguhet nga bashkia. Ndërsa, familjarët që do të trajtohen me bonus strehimi, duhet të marrin një nga shtëpitë që Bashkia e Tiranës po ndërton. banesa do të jepet nga Bashkia e Tiranës me një kosto më të ulët nga sa mund të gjendet në treg. Vetëm dy ditë më parë, Këshilli Bashkiak i Tiranës vendosi 36 personat që do të trajtohen me bonusin e qirasë.
Banesat
Projekti synon të adresojë problemin e strehimit të familjeve të pastreha të qytetit të Tiranës dhe pritet të krijojë zgjidhje strehimi nëpërmjet ndërtimit me kredi të disa apartamente sociale me qira. Objektivi i Bashkisë së Tiranës është ndërtimi i 350 apartamenteve sociale në periferi të Tiranës, pranë Fonder - Mek sh.a. në Shkozë. Këshilli Bashkiak i Tiranës, me Vendim Nr.73 datë 10.11.2006, i hapi rrugën ndërtimit të tyre duke miratuar listën e transferimit të disa pronave të paluajtshme shtetërore për t’u përdorur për ngritjen e banesave sociale.
Bazuar në Marrëveshjen e Nënhuasë CEB-i do të marrë pjesë në financimin e Projektit duke mbuluar 60% të kostove totale të përshtatshme për realizimin e tij, ndërsa pjesa tjetër e kostove do të mbulohet me 35.3% nga Bashkia e Tiranës dhe 4.7 % nga Buxheti i Shtetit, (Ministria e Financave) e cila sipas Marrëveshjes së Nënhuasë së nënshkruar do të mbulojë TVSH, si dhe do të marrë përsipër të përballojë pagesat e interesave për fondet e kredisë së disbursuar për bashkinë, sipas kërkesës së saj.
Skema
Aplikimi për marrjen e bonusit të qirasë kryhet nëpërmjet një formulari që mund të tërhiqet në Zyrën e Informimit për Qytetarët pranë Bashkisë së Tiranës ose në Njësitë Bashkiake ku qytetari figuron i regjistruar. Ky formular duhet të plotësohet me vërtetësi në të gjitha fushat ku plotësohet dhe më pas të noterizohet. Më pas, Njësia Bashkiake përkatëse i përcjell këta formularë pranë Drejtorisë së Strehimit Social në Bashkinë e Tiranës. Kriteret që duhet të plotesohen për t’u klasifikuar dhe për t’u trajtuar me programet sociale të strehimit janë disa dhe tregojnë pamundësitë e familjeve për të jetuar. Kështu, familjet që me Vendim të Këshillit Bashkiak klasifikohen për t’u trajtuar me një nga programet sociale të strehimit janë familjet që nuk kanë në pronësi një banesë; që zotërojnë siperfaqe banimi nën normat e strehimit të përcaktuara për atë kategori sociale dhe ekonomike ku bëjnë pjesë këto familje; ato familje që kanë mbetur të pastreha si rezultat i fatkeqesive natyrore. Në këtë skemë përfshihen vetëm ato familje që kanë të ardhura të pamjaftueshme.

Programi i Bonusit të Qerasë Sociale
Bashkia e Tiranës, për qytetarët të cilët nuk kanë të ardhura të mjaftueshme për të përballuar qiranë e tregut ofron mundësinë e trajtimit me bonos qiraje deri në momentin e trajtimit përfundimtar me strehim. Bonusi nënkupton pagimin e një pjese të qirasë që paguan kjo kategori qytetarësh (Familje të cilat nuk kanë të ardhura të mjaftueshme për të përballuar qiranë e tregut). Masa e pagesës që do të përfitojë familja do të llogaritet duke u bazuar tek aftësia paguese e familjes (të ardhurat totale të familjes) dhe masa e qirasë që paguan, kjo e fundit.
Programi i banesave me qira të ulët
Programi i alternativave të strehimit parashikon ndërtimin e 250 apartamenteve sociale të shpërndara në zona të ndryshme të qytetit
Për të përfunduar këtë program specialistët e Bashkisë duhet të marrin disa masa paraprake, siç është miratimi i studimit urbanistik pjesor për banesën shtetërore 2- katëshe me adresën: Rruga “V. Manastirliu”, e cila ndodhet në zonë banimi dhe
kalimin e ndërtesave ekzistuese në pronësi të Bashkisë së
Tiranës. Po kështu, bashkisë i është dashur të ngrejë një grup pune për të parë ecurinë e punimeve, si dhe zhvillimi i tenderit për projektim-ndërtimin.

Përzgjedhja

Përzgjedhja do të bëhet në bazë të të dhënave për çdo individ dhe pamundësitë e tij për të përballuar jetesën. Kriteret kryesore që duhet të plotësojnë aplikantët për të pasur me tepër mundësi që të trajtohen me një nga programet sociale të strehimit janë të përcaktuara qartë dhe çdo aplikant duhet të dorëzojë 20 dokumente të plota. Në shumicën e rasteve ka ndodhur që aplikantët të dalin nga skema e përfitimit për shkak të mungesës në dokumentacionin e paraqitur. Familjet të cilat me Vendim të Këshillit Bashkiak klasifikohen për tu trajtuar me një nga programet sociale të strehimit janë familjet që, nuk kanë në pronësi një banesë; nuk zotërojnë sipërfaqe banimi nën normat e strehimit të përcaktuara për atë kategori sociale dhe ekonomike, ku bëjnë pjesë këto familje; kanë mbetur të pastreha si rezultat i fatkeqësive natyrore. Në të gjitha kriteret e sipërpërmendura përfshihen vetëm ato familje që kanë të ardhura të pamjaftueshme dhe që nuk kanë asnjë të ardhur tjetër si mundësi për të ndërtuar jetën.

19 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›