E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pushimet e fundvitit, prenotime të shumta për të festuar jashtë shtetit



Agjencitë turistike në Durrës deklaruan se “ky vit ka rritje pothuajse 50 për qind të prenotimeve për kalimin e festave jashtë shtetit”. Edhe pse çmimet e vëna nga agjencitë turistike jashtë shtetit për të kaluar festat e fundvitit janë disi të rritura, prenotimet janë shumë më të larta se një vit më parë. Hotele në Dubai, Greqi, Turqi, në Spanjë, Marok, Mal të Zi apo gjetkë kanë dërguar oferta me çmime të cilat janë pothuajse të njëjta me një vit më parë. Por, megjithatë, prenotimet nëpër agjencitë turistike në qytetin e Durrësit janë në nivele të larta. Pronarët e agjencive deklarojnë se “kriza ekonomike duket se nuk ka pasur ndikimet e veta në kënaqësitë e shqiptarëve për t’i kaluar festat jashtë vendit”.

Pas Tiranës, Durrësi është qyteti i dytë në vend, për sa i përket numrit të turistëve të cilët i kalojnë pushimet jashtë vendit.

Sipas statistikave të deritanishme, afro 3850 familje durrsake dhe çifte kryesisht, kanë prenotuar kalimin e festave jashtë shtetit në vende të rajonit e më gjerë. Në qytetin e Durrësit ushtrojnë veprimtarinë e tyre 22 agjenci turistike, ku përfshihen edhe filialet e agjencive me qendër në Tiranë. Sipas punonjësve të këtyre agjencive, këtë vit bashkëpunëtorët e tyre jashtë shtetit kanë dërguar oferta me çmime më të kënaqshme për ata që dëshirojnë t’i kalojnë pushimet e fundvitit jashtë vendit. Kështu, Dubai nga 900 euro për person që ishte vitin e kaluar, këtë sezon kushton 720 euro, po ashtu kanë vepruar edhe operatorët në vende te tjera si Turqi, Egjipt, Marok etj. Shkak për këto çmime ka qenë afrimi i turistëve shqiptarë me gjithë pasojat e krizës ekonomike. Ndërkohë, për të joshur sa më shumë udhëtarë në këtë fundviti, disa linja ajrore nuk do të rrisin çmimet e biletave të avionëve sikurse ka ndodhur. Ky sezon emërtohet sezon turistik dhe biletat mund edhe të pësojnë rritje të ndjeshme. Por me gjithë ndonjë rritje të vogël, duket se numri i atyre që kanë prenotuar për të kaluar disa ditë pushimi jashtë shtetit, është 30%-40% më i lartë se një vit më parë. Sipas statistikave kufitare, të cilat konsiderohen me një koeficient rritje 20% lidhur me numrin e udhëtarëve turistë, vitin e kaluar nga Durrësi u larguan për jashtë vendit 18 mijë persona. Prej tyre rreth 14 mijë i kaluan festat nëpër shtete të ndryshme. Pjesa dërrmuese e turistëve udhëtojnë në mënyrë të organizuar, kryesisht me avionë dhe me autobusë. Kjo ka ngjallur shpresa te pronarët e agjencive turistike se do të jenë ata që do të presin më tepër frekuentues se një vit më parë.

Këshilli Kombëtar Studentor, marrëveshje me Unionin Studentor Evropian

Unioni Studentor Evropian dhe Këshilli Kombëtar Studentor do të zgjerojnë bashkëpunimin mes tyre gjatë viteve të ardhshme. Gjatë takimit në Bruksel, kryetari i Këshillit Kombëtar Studentor, z. Qamil Dika, u takua me përfaqësues të USE-së, me qëllim rritjen e bashkëpunimit. Kryetari i KKS-së pati takime të veçanta me çdo departament të Unionit Studentor Evropian dhe një pritje të veçantë i rezervoi kryetarja e Unionit Studentor Evropian, znj. Ligia Deca. Dika i ftuar nga ESU i prezantoi kësaj strukture situatën aktuale të arsimit të lartë në Shqipëri, reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare si dhe situatën e komunitetit studentor shqiptar dhe në veçanti të përfaqësive studentore. Ai prezantoi punën rreth 1-vjeçare që ka kryer KKS si institucioni legjitim që përfaqëson interesat akademike, sociale, kulturore dhe ekonomike të komunitetit prej 120 000 studentësh në Shqipëri për të kontribuar në arritjen e standardeve evropiane akademike. Bisedimet me znj. Deca, kryetare e Unionit Studentor Evropian, u fokusua në ndihmesën që struktura që përfaqëson mbi 11 milionë studentë evropianë, duhet t’i ofrojë një strukture relativisht të re si KKS, për të fuqizuar më shumë lëvizjen studentore shqiptare. Gjithashtu, znj. Deca pranoi ftesën e z. Dika për një vizitë disaditore në Shqipëri në fillim të vitit të ardhshëm për ta njohur atë më nga afër me gjendjen e arsimit të lartë në Shqipëri, lëvizjen studentore shqiptare si dhe për të lançuar disa projekte të përbashkëta, me qëllim forcimin e këshillave studentore në nivel fakulteti si dhe rritjen e pjesëmarrjes së studentëve shqiptarë në vendimmarrje.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›