Pushimet, fluks pasagjerësh në portet e Durrësit dhe Vlorës

Bregdeti i Shqipërisë mbetet i preferuar jo vetëm nga bashkatdhetarët, por edhe për të huajt.
Ndonëse gjysma e muajit gusht kaloi, një fluks i lartë pasagjerësh vihet re në dy portet kryesore të vendit, në Durrës dhe Vlorë.
Shifrat që raportohen nga autoriteti portual i Durrësit në nisje të kësaj jave flasin për 3.737 pasagjerë dhe 981 automjete.
Të njëjtat burime sqarojnë se edhe numri i pasagjerëve gjatë ditës së djeshme drejt porteve italiane ka nisur të rritet, pasi ditët e pushimit për ta në vendlindje mbaruan.
E njëjta panoramë paraqitet në Portin e Vlorës.
Bregdeti i Jugut mbetet më i preferuar për pushuesit e shumtë, turistë të huaj e po aq i dashur mbetet edhe për bashkatdhetarët.
Qyteti i Vlorës, qysh prej muajit korrik, është populluar.
Ata që preferojnë këtë bregdet zgjedhin të udhëtojnë nëpërmjet tragetit të linjës Brindisi–Vlorë.
Sipas burimeve nga Kapitenaria e Portit, që prej datës 1 gusht nga kjo pikë kufitare janë futur rreth 28 mijë pasagjerë dhe 6 mijë automjete, 267 autobusë e kamionë, ndërsa kanë dalë 9.638 pasagjerë dhe 2.118 automjete.
Gazetare: Melisa Shameti
/rtsh.al/