Pushimet verore, fluks hyrjesh në pikat e kalimit kufitar
Vijon fluksi i emigrantëve dhe pushuesve që hyjnë e dalin nga pikat kufitare të vendit tonë. Në 4 pikat doganore të qarkut të Korçës, përkatësisht Kapshticë, Qafë-Thanë, Gorisht e Tushemisht raportohet se në 24 orët e fundit kanë hyrë 10.090 persona dhe kanë dalë 4765 shtetas.
Fluksi më i lartë është shënuar në pikën kufitare të Kapshticës, prej ku kanë hyrë në 24 orët e fundit 6634 udhëtarë me 2100 mjete. Theksohet se në Kapshticë nuk ka radhë, pasi pala shqiptare po punon me 8 sportele, ndërsa ajo greke me 4 të tilla.
Ndërkaq, fluks udhëtarësh shënohet edhe në pikën kufitare të Kakavijës, por as aty nuk ka pasur pritje të gjata.
Fluks i lartë udhëtarësh është shënuar edhe në Portin e Durrësit, ndërkohë që autoritetet janë përgatitur për të pritur mbërritjen e 7 trageteve që do të sjellin rreth 10 mijë qytetarë dhe 1500 mjete. Në portin e Durrësit janë funksionale 30 sportele, që mund të përballojnë lehtësisht fluksin e fundjavës.
Në Portin e Vlorës sot kanë mbërritur 2200 persona me 450 makina. Edhe aty nuk paraqiten probleme.